Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar se ambasadori Qëndrim Gashi me apo pa vetëdije ka lënduar ndjenjat e besimtarëve myslimanë në Kosovë, kur ka shpërndarë artikullin e mediumit francez me karikaturat e profetit Muhamed, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme duhet ta marr me seriozitet këtë situatë. Agani ka thënë se ambasador Gashi edhe në deklarimet e tij, është shprehur se nuk ka pasur qëllim të ofendojë myslimanët, por që ka harruar se përfaqëson mbi 1 milion e gjysmë mysliman.
“Mendoj se Ministria e Punëve të Jashtme në radhë të parë duhet ta marr me seriozitet këtë situatë të krijuar në mënyrë të paditur. Ambasadori edhe në bazë të reagimit të tij, ka thënë se nuk e ka pasur qëllimin të lëndojë ndjenjat fetare të qytetarëve të Kosovës, mirëpo me veprimin që ka bërë ai e ka realizuar këtë me vetëtijë apo pa vetëdije në mënyrë shumë të vrazhdë sepse e ka harruar në një moment se është përfaqësues i mbi 1 milion e gjysmë qytetarëve të këtij vendi të cilët kanë ndjenja të veçanta të respektit për të dërguarin e zotit Muhamedin paqja dhe mëshira e zotit qoftë mbi të”.
“Pra duke harruar këtë moment dhe këtë kodeks të vlerave të cilat janë të lidhur me figurën dhe jetën e të dërguarit të zotit Muhamedin dhe rëndësinë e këtyre vlerave për qytetarët familjen e tyre, ambasadori në një moment e ka vënë në një sfidë të veçantë përkushtimin e qytetarëve për një shtet demokratik që mbretëron liria e shprehjes”, shtoi Agani.
Ai ka thënë se Kosova ka vlerë tolerancën ndërfetare, por që në rastin e Francës janë përballur me dy ekstreme të ndryshme, duke përfshirë vrasjen e profesorit në Francë. Agani ka thënë se edhe ky rast është i dënueshëm sipas vlerave islame.
“Mendoj se përkundër një vlere të veçantë të cilin përfundimisht shoqëria kosovare dhe shteti e kanë një përkushtim dhe dëshmi historike dhe bashkëveprimi ndërfetar edhe në rrafshin global. Megjithatë jemi sjellë në situatë që na u ndërlidhën dy ekstreme të palejueshme, që një vrasje macabre e cila ka ndodhur në një qytezë afër Parisit në Francë, një vrasje e cila as në aspektin fetar dhe as në atë ligjor nuk mund të arsyetohet sepse ka pasuar pa asnjë gjykim apo verifikim të fajësisë që ëhstë një normë elementare e vlerave islame”.
“Një vrasje e tillë nuk ka mbërri të dënohet në masën që e meriton të dënohet dhe i gjithë qytetërimi islam e ka dënuar në mënyrë të hapur. Një ekstrem i tillë një akt terrorist njëkohësisht është ndërlidhur me një akt terrorist mental. Ai është sjellë në një situatë që para syve të besimtarëve të botës të poshtërohet të nëpërkëmbet ku qytetarët e këtij vendi e ndërtojnë kodeksin e vlerave të tyre etike dhe morale”, shtoi ai.
Agani i cili ka qenë ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, tha se institucionet e vendit duhet të parandalojnë rastet e tilla. Ai thotë se Kosova është e përkushtuar në rrugën euro-atlantike, por që nuk do të lejojnë që vlerat fetare të dëmtohen.
“Uroj që institucionet e vendit të gjejnë mënyra që të parandalojnë në të ardhmen këso situata. Uroj që përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të jenë shumë të vëmendshëm se kënd e përfaqësojnë. Për ne është shumë me rëndësi se ka shkojnë. Jemi të përkushtuar në rrugën tonë euro-perëndimore dhe për integrimet euroatlantike. Dhe nuk do të lejojmë të na përkëmben vlerat fetare”, shtoi Agani.
Shpërndarja e karikaturave të profetit Muhamed ka ngjallur reagimet mëdha në Kosovë. Kundër veprimit të Gashit, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila ka kërkuar distancimin e MPJ-së nga ky veprim.
Edhe ambasadori Gashi në një sqarim të tij, ndër të tjera ka thënë se nuk kishte qëllim ofendimin e besimtarëve myslimanë me shpërndarjen e karikaturave.