Nga 64 të akuzuarit në rastin “stenta” ishte i pari që e liroi detyrën. Por tash ish-ministri i mjedisit, Ferid Agani, pritet të kërkojë kthimin në punë nga shefi i tij.
Agani, që nuk pranoi as të prononcohet për media për rreth dy muaj, tash po shpreh pakënaqësinë, meqë sipas tij, në këtë proces ka shkelje ligjore, pasi nuk u thirr asnjë seancë, raporton KTV.
Agani thotë se po dëmtohet imazhi i tij në kohën kur nuk ka një verdikt të fundit nga sistemi gjyqësor.
Njëjtë mendon edhe deputetja e komisionit parlamentar të shëndetësisë, Time Kadriaj, për të cilën është urgjent epilogu i kësaj çështjeje.
Zyrtarë të Gjykatës Themelore kanë bërë me dije se shpejti pritet të nisë procedimi në këtë rast.
Ndryshe, Agani është i bindur se drejtësia do të triumfojë në anën e tij, pasi është i sigurt se nuk bëri keqpërdorim të detyrës zyrtare, kur dërgoi pacientët të trajtohen jashtë institucioneve publike.
Në aktakuzën e prokurorisë janë të përfshirë 64 persona, prej të cilëve mbi 40 mjekë kardiologë nga e gjithë Kosova, të cilët po dyshohet se keqpërdorën detyrën zyrtare duke rrezikuar jetë njerëzish.