Agani kërkon të merren masa ndaj gjyqtares që vonoi gati katër muaj aktgjykimin ndaj tij

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka kërkuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Shadije Gërguri, me arsyetimin se e njëjta është vonuar në përpilimin e aktgjykimit të cilin ai e quan skandaloz, çka sipas tij, e pamundëson ushtrimin e të drejtës së tij për ankesë në Gjykatën e Apelit.

Aktgjykimin e shpallur nga gjykatësja Shadije Gërguri, më 24 prill të këtij viti, me të cilin Agani ishte dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ish-ministri po e konsideron skandaloz dhe të kundërligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me datë 24.04.2019 trupi gjykues i përberë nga Gjyqtarja Shadije Gërguri, Violeta Namani dhe Mustafë Tahiri kanë shpallur aktgjykimin me të cilin më kanë shpallur fajtor dhe më kanë dënuar me dënim kapital prej 2 vite e 6 muaj burgim efektiv. Duke e vlerësuar vendimin e tillë si skandaloz, të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me të gjitha provat materiale të administruara gjatë procesit gjyqësor kam qenë dhe mbetem tejet i interesuar për të atakuar këtë vendim pranë Gjykatës së Apelit me qëllim që vendimi i tillë të anulohet”, thuhet në ankesën/kërkesën e tij drejtoruar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mirëpo, Agani thotë se as pa 3 muajve nga shpallja e aktgjykimit ende nuk e ka pranuar të njëjtin në formë të shkruar, çka sipas tij, e pamundëson ushtrimin e të drejtës së tij për ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Që nga data 24.04.2019 e gjer sot 24.07.2019 kur kanë kaluar 3 muaj të plotë unë ende nuk kam pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin jam dënuar. Theksoj se përderisa nuk pranoj në formë të shkruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e kam të pamundur si teknikisht po ashtu edhe ligjërisht që të ushtrojë të drejtën time të ankesës. Kjo për shkak se as nuk kam njohuri e as që mund ta marr me mend se çfarë arsyetimi ka mundur të jap Gjykata Themelore për dënimin tim kur të gjitha provat kanë argumentuar të kundërtën, e pa qenë i njoftuar me arsyetimin e tillë nuk kam mundësi që të njëjtin ta atakoj.” thotë Agani.

Sipas tij, është pengesë ligjore që të ushtrohet mjeti juridik i ankesës pa pranuar aktgjykimin nga Gjykata.

“Neni 380 i Kodit të Procedurës Penale ka paraparë që ankesa mund të ushtrohet brenda afatit prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit; ndërsa duke qenë se tash e 3 muaj aktgjykimi nuk më është dorëzuar rrjedhimisht është duke m’u cënuar e drejta ime e ankesës.” thuhet tutje në ankesë/kërkesën drejtuar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti ka shtuar se nuk ka njohuri nëse gjykatësja Gërguri ka kërkuar afat shtesë shtesë për të përpiluar me shkrim aktgjykimin dënues në rastin e tij, ashtu siç edhe parashihet me nenin 369 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

“Në rastin tim përkundër se nuk kam njohuri nëse Kryetarja e Trupit Gjykues znj. Shadije Gërguri ka kërkuar afat shtesë apo jo ky afat është tejkaluar tash e shumë kohë, respektivisht me datë 24.07.2019 bëhen plot 3 muaj nga shpallja e aktgjykimit ku jam gjetur fajtor”, ka shkruar Agani.

Tutje, ish-ministri ka thënë se mos dorëzimi i aktgjykimit në rastin e tij më cenon rëndë reputacionin e tij si qytetar dhe politikan.

“Mos dorëzimi i aktgjykimit në rastin e tij është duke u bërë me tendencë të qartë dhe të plotë me qëllim të vetëm që të më pamundësohet ushtrimi i mjetit juridik të ankesës ashtu që reputacioni im prej politikani dhe figurës publike të vazhdon të dëmtohet sa më gjatë. Veçanërisht tani në këtë periudhë para zgjedhjeve parlamentare mos dorëzimi i vendimit më pamundëson ushtrimin e të drejtës së ankesës në Gjykatën e Apelit dhe më cënon rëndë reputacionin tim si qytetar dhe politikan”, thuhet në ankesë/kërkesë.

Sipas Aganit, është e pakuptueshme pse një trupi gjykues i duhet shumë kohë për përpilimin me shkrim të një vendimi tashmë të shpallur.

“Në njërën anë është e pakuptueshme përse i duhet një trupi gjykues kaq shumë kohë për përpilimin me shkrim të aktgjykimit të cilin tashmë vetëm se e kanë vendosur dhe shpallur (mos ndoshta pamundësia e argumentimit të fajësisë dhe dënimit të shpallur në mënyrë publike me pasoja të rënda për figurën time publike); ndërsa nga ana tjetër është e pakuptimtë se çfarë aktgjykimi do të mund të nxjerret pas kalimit të më shumë se 3 muajve nga seanca e fundit dhe shpallja e aktgjykimit për faktin se sa më shumë kohë që kalon kujtesa mbi faktet dhe provat e lëndës zbehet.” ka thënë tutje ish-ministri Agani.

Në këtë drejtim, në letrën dërguar kryetares së Gjykatës në Prishtinë, Agani ka thënë se veprimet e gjyqtares Shadije Gërguri janë të njëanshme dhe kanë për qëllim që atij t’i shkaktojnë dëm.

“Duke parë veprimet e Kryetarës së Trupit Gjykues znj. Shadije Gërguri vlerësoj se të njejtat janë të njëanëshme, tendencioze, dhe me qëllim që të më shkaktojnë sa më shumë dëm duke më pamundësuar ushtrimin e mjetit juridik të ankesës; rrjedhimisht vlerësoj se e njejta është duke cënuar të drejtat e mija procedurale përmes keqpërdorimit të pozitës së sajë zyrtare duke mos kryer detyrat e saja si Gjyqtare. Prandaj vlerësoj se e njejta është duke bërë shkelje nga neni 5 par. 2.5 dhe 2.7 i Ligjit për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, konsideron Agani.

Në fund, Ferid Agani ka kërkuar që për këtë rast, ndaj gjyqtares Gërguri të shqiptohet masë disiplinore.

“Përmes kësaj ankese/kërkese, kërkoj që Komisioni përkatës që do të shqyrtojë këtë ankesë të ndërmarrë dhe shqiptojë masa disciplinore ndaj gjyqtares Shadije Gërguri të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.”, duke kërkuar nga Bytyçi që ta njoftojë të njëjtin për për çfarëdo veprimi që ndërmerr në këtë drejtim.

Një kërkesë të tillë, ish-ministri Agani e ka dërguar edhe te Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, lidhur me siç thotë ai, cenimin e rëndë të drejtave të tij për ushtrim të mjetit juridik dhe gjykim në kohë të arsyeshme të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me gjykatësen Shadije Gërguri, lidhur me pretendimet e ish-ministrit Agani se e njëjta ka shkelur ligjin duke mos përpiluar me kohë aktgjykimin për rastin “Stenta 1”.

Gjykatësja Gërguri mohon të ketë shkelur ligjin në këtë rast, duke thënë se e ka njoftuar vazhdimisht kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për siç thotë ajo, vonesat në përpilimin e të njëjtit.

“Kryetarja ka qenë vazhdimisht e njoftuar në lidhje me procedurën e përpilimit të këtij aktgjykimi. Ka marrë shumë kohë edhe për shkak të angazhimeve të shumta, edhe tu e pas parasysh që është një lëndë më e madhe dhe duhet arsyetuar secilën provë veç e veç. Po vazhdimisht e kom njoftuar kryetaren për aktgjykimin”, ka thënë gjykatësja Gërguri.

E njëjta nuk bëri të ditur nëse ka bërë kërkesë lidhur me shtyrjen e afatit për përpilimin e aktgjykimit, ashtu siç edhe parashihet me nenin 369 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se aktgjykimi për këtë rast është i përfunduar dhe ka mbetur vetëm të i’u dërgohet palëve.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për të kuptuar nëse gjykatësja Gërguri kishte bërë kërkesë për shtyrje të afatit të përpilimit të aktgjykimi.

Në përgjigjen e dërguar nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, thuhet se nuk ka pasur kërkesë të tillë nga gjykatësja Gërguri, duke shtuar se kjo e fundit ka qenë e angazhuar edhe me aktgjykime tjera.

“Ju njoftojmë se nuk ka pasur kërkesë për shtyrje të afatit të përpilimit të aktgjykimit lidhur me lëndën PKR.nr.369/16. Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka ekspeduar aktgjykimin për të akuzuarit F. A dhe G.SH. Sipas Kryetares së Trupit Gjykues arsyeja e shtyrjes së përpilimit të aktgjykimit është se Kryetarja e Trupit Gjykues ka qenë e angazhuar edhe në përpilimin e aktgjykimeve të tjera, po ashtu lënda ka qenë voluminoze dhe ka pasur shumë prova për tu analizuar”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, më 24 prill 2019, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Për këtë vepër penale, Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër, Gani Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.

Ata janë obliguar edhe në shpenzimet procedurale si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 400 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më 15 qershor 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme