Qetësia në qytete e fshatra, rrugët e zbraztë e frika e mbetjes pa ushqim në këtë periudhë kur vendi po ballafaqohet me pandeminë Coronavirus, disa personave po u asocon me kohën e luftës.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani i cili me profesion është psikiatër, në një intervistë për Ekonomia Online tha se kjo situatë pacientët që kanë probleme me shëndet mendor po i bën të ndihen të shqetësuar.
Sipas tij, edhe pse 20 vjet pas luftës, të gjitha përvojat traumatike, streset e rënda të përjetuara nga periudha e okupimit, luftës e përvoja e refugjatit, ka lënë pasoja në ndërdijen e njerëzve.
“Jemi shoqëri e pasluftës edhe pse 20 vjet pas luftës, megjithatë gjitha përvojat traumatike, streset e rënda e përjetuara nga periudha e okupimit dhe vetë lufta dy vjeçare dhe përvoja e refugjatit në shtetet e huaja i kanë lënë pasojat e tyre në ndër dije në vetëdijen e qytetarëve të vendit”.
“Prandaj, shumë prej qytetarëve tani më kur i përjetojnë këto situate të tanishme, kanë rikujtime, kanë ripërjetime dhe ndërlidhje me situatat e luftës. P.sh para pak kohe në bisedë me një pacient, më përshkruan se si e ndiejnë vetën shumë të shqetësuar në momentin kur e ndiejnë këtë qetësi në qytet, ose kur i sheh njerëzit me maska, ose njerëzit me dorëza dhe kjo i asocon menjëherë në rrugët e zbrazëta gjatë luftës”, tha Agani.
Ai thotë për EO, se këta persona të cilët e kanë përjetuar rëndë luftën, gjendja aktuale me pandeminë po iu bënë një riipërjetim të situatave traumatike.
Sipas, Aganit, ndonëse kjo situatë dallon shumë nga ajo e luftës, përjetimet e këtyre pacientëve tani janë më të ndërlikuara.
“Në këtë situatë e kemi një ripërjetim të situatave traumatike dhe aktualisht shumë prej qytetarëve të vendit, duhet pasur parasysh se ne jemi shoqëri e cila sipas studimeve të bëra në vitin 1999-2000, do të thotë 25 për qind e popullatës së Kosovës 15 vjet dhe më të vjetër kanë pasur përjetime të çrregullimit të stresit post-traumatike”.
“Pra, gati çdo i katërti person i moshës së rritur në Kosovë në atë periudhë kanë përjetuar këtë formë më të rëndë të përjetimit traumatik dhe çrregullimeve të lidhura me të. Krejt këta njerëz, shumica prej tyre i kemi në jetën e përditshme dhe këta njerëz tash këtë situatë stresuese e riipërjetojnë në një kontekst tjetër I cili dallon shumë prej atij të parit të luftës. Mirëpo, përjetimet janë shumë më të ngarkuara, më të ndërlikuara dhe humb kufirin ndërmjet përjetimeve të para të pasluftës dhe atyre përjetimeve stresogjene të ditëve të sotit”, tregoi ai.
Agani thotë se për të parandaluar rritjen e numrit me të infektuar me Coronavirus, shumicën e vizitave të pacientëve është duke e realizuar përmes video-konferencave.
“Ka kufizime të lëvizjes së qytetarëve, shumë regjione e komuna janë në karantinë. Çdo udhëtim jashtë shtëpisë, ngre një rrezik për përcjelljen e infeksionit. Prandaj, shumicën e vizitave jam duke e realizuar përmes video-konferencave përmes telefonit me pacientë dhe përmes rrjeteve sociale dhe mendoj se deri më tani kemi situatën në kontroll. Përndryshe shkalla e stresit e ankthit është mjaft e lartë në popullatë e veçanërisht në mesin e pacientëve të cilët edhe më parë kanë pasur probleme të shëndetit mendor të natyrave të ndryshme”.
Duke ditur situatën aktuale në vend, ku pothuajse çdo ditë rritet numri i personave të infektuar me Coronavirus dhe nevojën për ndihmë mjekësore, ai tha se nëse është nevoja do të ndihmojë në mënyrë vullnetarë për gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë.
“Natyrisht, kjo është çështje që nuk diskutohet, në momentin e parë që institucionet shtetërore e paraqesin këtë nevojë vetë së bashku me djalin që poashtu është mjek e poashtu edhe vajzën e cila është specialist e psikologjisë klinike, do të jemi në vinë e parë të nevojës, aty ku kërkohet. Dashtë Zoti mos të jemi në atë situatë që numri i të infektuarve por edhe të sëmurëve të jetë më i madh se mundësitë e sistemit tonë shëndetësore. Por, në rast se kjo ndodhë ajo nuk diskutohet”, theksoi Agani.