Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani nuk e përjashton mundësinë që deputetët të infektohen me Coronavirus, gjatë mbartjes së seancës për mocionin.
Agani në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nëse vendoset të mbahet seanca duhet të merren masat adekuate epidemiologjike të përcaktuar me ligjet në fuqi.
Ai ka përmendur edhe raste në shtet tjera kur politikanët janë infektuar me këtë virus, prandaj sipas tij, duhet të kihet kujdes se kush merr përgjegjësi për këtë çështje.
“Kjo situatë ka implikime dhe çështje të cilat janë të natyrës thjesht teknike të kujdesit për përhapjen e infeksionit të marrjes së masave adekuate epidemiologjike të përcaktuar me ligjet në fuqi. Rreziku për këtë gjithmonë ekziston”.
“Kemi shumë raste kur deputetet e parlamenteve të ndryshme, dje dëgjuam edhe senatori i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dalë si të infektuar me virusin Covid. Do të thotë, mundësia ekziston. Kush e merr përgjegjësinë për këtë, mbi supet e tij. Unë mendoj se tregon papërgjegjshmëri të lartë”, tha ai.
Mocionin e iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti, në të cilën bën pjesë vetë kjo parti, në kohë të pandemisë, po e sheh të paarsyeshëm Agani.
Ai tha se kjo situatë është për keqardhje dhe fton kolegët e tij, që kjo kërkesë të tërhiqet sa më parë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, thotë se qytetarët në krahasim me politikanë kanë qenë shumë më të organizuar në situatën aktuale.
“Mendoj se qytetarët e vendit megjithatë si komunitet si kolektivitet kanë qenë shumë më të organizuar në nivel shumë më të lartë të reagimit se sa kanë qenë politikanët në situatën aktuale.
“Kjo është për keqardhje dhe unë uroj që kolegët e mi sa më shpejt që të jetë e mundur të sjellin situatën politike në vend në suaza të normales. Të tërhiqet sa më shpejt ajo kërkesë për mocionin për votëbesimin e Qeverisë”.
“Është plotësisht jashtë kohës, është plotësisht i paarsyeshëm në këto momente, pavarësisht prej argumenteve të cilat mund ti kenë, mund të ekzistojnë për këtë, por është e domosdoshme që ky mocion të tërhiqet. Urgjent të tërhiqet dhe të riaktivizohet në qoftë se shihet e arsyeshme në ditët e para pas tejkalimit të kësaj pandemie”, u shpreh Agani.
Agani thotë se në vend që politikanët të merren me mocion, duhet të merren me fitimin e betejës me Coronavirus.
“Jemi duke folur për disa javë ose disa muaj dhe jo për vite dhe unë mendoj se në këtë moment përgjegjësit politik të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës do të jenë në nivelin e përgjegjësisë së tyre dhe se do të krijojnë kushte që ky mocion të tërhiqet këtë moment. Dhe gjitha fuqitë, forcat institucionale, politike e shoqërore të këtij vendi të jenë të orientuara kah fitimi i betejës me Coronavirusin”.
Por, nëse ndodh e kundërta, ish-ministri Agani thotë se politikanët do të paguajnë me çmim të lartë politik në zgjedhje.
“Çdo gjë tjetër është dështim në këtë proces. Dështim për të cilën në qoftë se ndodh, me siguri se ata të cilët janë përgjegjës do të paguajnë çmim të lartë politik në zgjedhjet e para të cilat do të mbahen në shtetin tonë”.
Ai tha se politikanët duhet të marrin shembull e të bashkohen si qytetarët në luftë për të fituar betejën me Coronavirus, raporton EO.
“Uroj që kjo mos të ndodh, jam i bindur që megjithatë kjo sjellje regresive e politikanëve tonë do të ndërkrehet dhe që ata do të gjejnë forcë, fuqi që të bashkohen ashtu siç janë bashkuar qytetarët në betejën e përbashkët për të fituar këtë betejë me Coronavirusin”.