Agani: Vendimi i Kushtetueses ka zgjidhur disa probleme të klasës politike, PD-ja s’merr pjesë në zgjedhje

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 11:25 | Nga Fitore Berisha

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani në një intervistë për Ekonomia Online, konsideron të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje të reja, sepse me këtë, sipas tij do të tejkalohen disa probleme që ishin të pazgjidhura për këtë klasë politike.

Agani tha se ishte e qartë se ishin krijuar probleme të mëdha, dhe se tash do të jetë vendimi i qytetarë që do të përcaktojë kahjen e zhvillimeve për formimin e qeverisë së re.

 “Unë mendoj që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ja ka zgjidhur disa probleme klasës politike të Kosovës. Mendoj se i ka tejkaluar disa probleme të cilat ishin të pazgjidhshme për këtë klasë politike. Por ishte e qartë ditën e fundit që të gjendet një rrugëdalje nga situata e krijuar. Natyrisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk janë komentuar dhe nuk janë diskutuar nga asnjë subjekt politik deri më tani që është për çdo lëvdatë dhe mendoj që duhet të jetë ashtu. Duhet pranuar si një fakt i mirëqenë. Jemi pa qeveri e kemi një vendim të gjykatës i cili qartë sugjeron që duhet shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mendoj se në instancën e fundit kjo është zgjidhje shumë e drejtë. Partia e Drejtësisë në vazhdimësi e ka proklamuar këtë qëndrim dhe është e domosdoshme që në situate të tilla të krizës politike fjalën përfundimtare ta thonë vetë qytetarët. Në bazë të informatave që kanë aktualiteti i cili mbretëron dhe  zëri i sovranit do të jetë a ii cili përcakton edhe kahjen e zhvillimeve të ardhshme. Por pa marrë parasysh çfare qofshin ato subjektet politike natyrisht do ta bëjnë maksimumi e tyre që t\ia shpjegojnë qytetarëve platformat e tyre politike dhe ën fund ata do të vendosin”, shtoi Agani.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë mori vendim se vota e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti ishte jo ligjore dhe ka vendosur që vendi duhet shkuar në zgjedhje.

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe Ambientit, Ferid Agani theksoi se Partia e Drejtësisë është vënë në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë këto vjetët e fundit me procesin gjyqësor që është nisur ndaj tij.

Tutje, ai tha se është pjesë e këtij procesi të stërzgjatur juridik qe pesë vjet dhe nuk do të kandidojë në zgjedhje e vitit 2021.

Megjithatë, Agani shtoi se që fokusi kryesor i partisë së drejtësisë do të jetë fuqizimi i degëve në mbarë Kosovën dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në nëntor të këtij viti.

“Partia e Drejtësisë është vënë në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë këto vjetët e fundit me procesin gjyqësor që është nisur ndaj meje. Unë jam ende pjesë e këtij procesi të stërzgjatur juridik i cili tani më ka hyrë në vitin e pestë. Unë nuk kam qenë në gjendje për shkaqe morale që të kandidojë si deputet në zgjedhjet e vitit 2017. Dhe nuk do të jem për fat të keq edhe në këto zgjedhje të vitit 2021 që natyrisht është një hendikep i madh . Ne si parti kemi dhënë kontribut në skenën politike edhe në zgjedhjet e 2017 kur kemi qenë pjesë e koalicionit fitues. Vendimi përfundimtar do të merret nga organet qendrore të partisë mendoj se partia e drejtësisë në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë meqenëse unë si kryetar i partisë nuk do të jem në gjendje të jem bartës i listës së partisë së drejtësisë në këto zgjedhje, kandidimi i partisë në zgjedhje dhe ofrimi i qytetarëve pa e pasur kryetarin e partisë në ballë të listës së kandidatëve në rastin e partisë së drejtësisë nuk është treguar i suksesshëm. Dhe mendoj që fokusi kryesor i partisë në periudhën tonë të ardhshme do të jetë fuqizimi i degëve të partisë së drejtësisë në mbarë Kosovën dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në nëntor të këtij viti”, shtoi ai.

Kryetari i PD-së, Ferid Agani tha se në qoftëse në janar kemi zgjedhjet e jashtëzakonshme atëherë brenda katër muajve do të arrihet edhe konstituimi i qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit.

“Duke pasur parasysh faktin se shumë zhvillime politike janë të lidhura me afatin kushtetues të ushtrueses së detyrës së presidentes së vendit e cila përtej majit nuk do të mund të ushtroj më tepër këtë detyrë në bazë të kushtetuese unë mendoj se të gjitha proceset e konstituimit të institucioneve të vendit do të përfundojnë në majin e vitit të ardhshëm. Në qoftëse në janar kemi zgjedhjet e jashtëzakonshëm atëherë mendoj që brenda katër muajve do të arrihet edhe konstituimi i qeverisë së re edhe zgjedhja e presidentit”, tha ai.

Të ngjashme