Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, vendimin e KQZ-së për mos njohjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të një pjese të anëtarësisë së kësaj partie e konsideron të drejtë, por të vonuar.
Agani në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ky vendim ka qartësuar se të gjitha akuzat e një pjese të anëtarësisë kanë qenë të pabaza dhe të paqëndrueshme.
Ai bëri të ditur se ky vendim do t’u mundësojë tashmë që të konsolidohen si parti në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.
“Unë e vlerësoj si një vendim të drejtë ndonëse i vonuar. Tashmë shpejt do të konsolidojmë të gjithë resurset politike në tërë vendin, pasi që në fund të këtij viti do të kemi zgjedhje lokale dhe do të jemi sa më të përgatitur”, tha ai.
Në këtë intervistë, ish-ministri i Shëndetësisë dhe MMPH-së, flet për koalicionin me PDK-në, aktakuzën e ngritur në rastin “Stenda” dhe temat politike si demarkacionin dhe asociacionin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konstatuar se kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i Partisë së Drejtësisë (PD), i mbajtur vitin e kaluar, nuk është në përputhje me statutin e kësaj partie.
Prandaj, sipas këtij vendimi, Ferid Agani, është kryetari legjitim i PD-së.
Vitin e kaluar, anëtarët e Partisë së Drejtësisë ishin ndarë në dy taborë. Ata që nuk pajtoheshin me Ferid Aganin thirrën një kuvend zgjedhor ku kryetar kishin zgjedhur Sylejman Çerkezin.
Agani nuk ishte pajtuar me vendimet e kësaj pjese të kryesisë duke thënë se është shkelur statuti i partisë. Qysh atëherë ai kishte paralajmëruar se do të kërkojë sqarime nga KQZ-ja në lidhje më këtë çështje.
Por Ekonomia Online mëson se pala tjetër konteston vendimin e KQZ-së dhe se do të parashtrojë ankesë në PZAP.
Intervista e plotë me Ferid Aganin publikohet nesër (e enjte).