Me 58 vota të delegatëve, Federata e Futbollit e Kosovës zgjodhi Agim Ademin kryetar për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
Pasi që në garë ishte vetëm një kandidat, u mor vendim që votimi të ishte i hapur, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se është i bindur që pasardhësi i Vokrrit nuk do ta ketë të lehtë punën.
“Jeni të vetëdijshëm edhe ju, edhe federata se para pak ditëve kemi humbur një njeri shumë të madh të futbollit, një legjendë të vërtetë. Kjo humbje ishte e madhe për Ministrinë e Sportit, sepse legjenda Fadil Vokrri ka qenë një këshilltar, një mësues që na ka këshillu për të mirën e futbollit”.
“Pasardhësi i tij jam shumë i bindur se nuk do ta ketë të lehtë të punojë si kryetari Fadil Vokrri. Por jam i bindur se njerëzit me përvojë do të gjejnë forcë, energji për të vazhduar rrugën e Vokrrit. Unë jam sot këtu në cilësinë e ministrit, por edhe të një miku dhe partneri tuaj për ta ndihmuar Federatën e Futbolllit”.
“Jam këtu të zotohem se do të jem një mik dhe partner i juaji në shtyrjen e të gjitha projekteve që kanë fillu. Ju uroj delegatëve për zgjedhjen e kryetarit të Federatës së Futbollit. Premtoj se do të jemi bashkë ashtu sikurse me Fadil Vokrrin”.
Kryetari i sapozgjedhur i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, falënderoi të gjithë për përkrahjen. Edhe ai e pranoi se nuk do ta ketë të lehtë punën, sipas tij, pas një kryetari si Fadil Vokrri.
“Ju falënderoj shumë për përkrahjen, e di që nuk do ta kem të lehtë pas një kryetari si Fadil Vokrri. Unë jam njëri nga ju. Pjesa ime më e fortë do të jetë puna e përbashkët. Shpresoj shumë që do t’ia dalim që futbollin e Kosovës ta dërgojmë aty. Do t’i përfundojmë të gjitha projektet. Ju falënderoj dhe do të jemi gjithmonë bashkarisht dhe afër juve dhe sidomos pranë atyre që investojnë në sport”, u shpreh Ademi.
Servet Yardimci, në emër të UEFA-s, kujtoi punën e Fadil Vokrrit për Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Kemi qenë pothuajse si vëllezër me zotëri Fadil Vokrrin. Ai gjithmonë ka kryer detyrat e tij si kryetar i FFK-së. Fadil Vokrri ka gëzuar respektin dhe miqësinë e të gjithëve. Prej arritjeve më të mëdha është anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA”.
“Sot kur do të zgjedhim pasardhësin e Fadil Vokrrit, besojmë që do të vazhdojë punën me aq shkëlqyeshmëri dhe mezi presim që të vazhdojmë bashkëpunimin. Dua të them që është më rëndësi me dërgu një mesazh të fuqishëm te FIFA dhe UEFA se futbolli i Kosovës i bashkuar është i fuqishëm”.
“Siç e thashë, Kosova është një shtet shumë i mirë i futbollit dhe jam i bindur se do të arrijë rezultate akoma më të mira. Ju dëshiroj një kuvend dhe zgjedhje të suksesshme”.
“Gjatë muajve të fundit FIFA dhe FFK kanë arritur të krijojnë raporte të shkëlqyeshme. Jemi të sigurt se do të vazhdohet puna dhe progresi i punës që është arritur nga kryetari i ndjerë Fadil Vokrri”, tha Bior Vasallo, anëtar i FIFA-s.