Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar publikimin vjetor të Indeksit të
Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për vitin 2023.
Publikimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) i harmonizuar
sipas konceptit ndërkombëtar, është implementuar nga muaji janar i vitit 2015 dhe përmban
seritë kohore në baza vjetore për periudhën 2002 – 2023, të rillogaritur me vitin bazë
2015=100.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2023 ishte 4,9%
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2023 ishte më i
lartë në një mesatare prej 4.9%, krahasuar me vitin 2022. Ngritje e indeksit të çmimeve të
konsumit gjatë vitit 2023 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: Perimet (15.9%), mallra
dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (15.1%), energji
elektrike (12.9%), pemë (11.4%), prodhime ushqimore (11.3%), sheqer, reçel, mjaltë,
çokollatë dhe ëmbëlsira (11.2%), pije alkoolike (9.5%), mirëmbajtje dhe rregullim i
vendbanimit (9.2%), bukë dhe drithëra (8.9%), qumësht, djathë dhe vezë (8.4%), mish
(7.8%), gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.4%), uji mineral, pijet
joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (7.0%), shërbime të transportit (6.9%), lëndë
djegëse të ngurta, dru zjarri, palet, etj. (6.7%), kujdes personal (6.5%), qelqurinat, takëmet
dhe mjetet e kuzhinës (6.5%), shërbimet rekreative dhe kulturore (6.4%), shërbime hoteliere
(6.1%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (5.0%), kafe, çaj dhe
kakao (4.9%), duhan (4.8%), vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (4.8%), gjëra personale
(4.3%), blerje e automjeteve (3.8%), këpucë (3.7%), veshje (3.2%), gazetat, librat dhe
materialet për zyra (3.2%), pajisje shtëpiake (3.2%), shërbimet ambulantore (2.0%) me një
ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 5.9 për qind në IHÇK.”
Ndërsa, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2023 është
vërejtur te nëngrupi i COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit
personal (-11.4%) me një ndikim (-1.0) për qind në IHÇK.