Edhe pse me vendim të Qeverisë ishte përcaktuar që një fermeri t’i kompensohej lopa e ngordhur nga sëmundja gungore në vlerë 1 mijë e 200 euro, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka kompensuar dyfish fermerët.
Nga 46 raste të audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit, që kapin vlerën prej 60 mijë e 200 eurosh, në tri raste me vlerë prej 7 mijë e 200 eurosh Auditori ka hasur në parregullsi, ku ishin dyfishuar pagesat ndaj fermerëve, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Fermerët janë kompensuar/paguar nga 2,400 euro për gjedh, përderisa vlera e duhur për kompensim/pagesë ishte 1,200 euro për gjedh”, thuhet në raportin e Auditorit për Zyrën e kryeministrit të Kosovës.
Për këtë zyrtarët përgjegjës janë deklaruar se është bërë gabim nga Komisioni i vlerësimit dhe se pas marrjes së draftit nga ZKA-ja, sipas zyrtarëve përgjegjës të AUV-it, kryeshefi i Agjencisë ka ndërmarrë masat përkatëse lidhur me këto raste duke nxjerrë disa vendime me të cilat obligon fermerët që në afat prej 30 ditësh t’i kthejnë mjetet e pranuara në buxhetin e AUV-it.