Agjencia për Privatësi kërkoi të mos përdoret ngjyra matrikuluese, KQZ: Do ta shqyrtojmë me kujdes

Prishtinë | 13 Sht 2024 | 11:35 | Nga Florenta Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vetëm dy ditë pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i rekomandoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos përdorë ngjyrën matrikuluese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nga ky institucion kanë konfirmuar për Ekonomia Online se kanë pranuar shkresën e kësaj agjencie.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se ky institucion do ta shqyrtojë me kujdes këshillën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pranuar këshillën e hartuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe do ta shqyrtojë me shumë kujdes atë. Sigurisht se KQZ do të njoftojë qytetarët me qëndrimin që do të mbajë”, ka thënë Elezi.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kundërshtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka miratuar Rregullën Zgjedhore Nr. 12/2024 Votimi, Numërimi në Vendvotim dhe Menaxhimi i Vendvotimit, përmes së cilës ka përcaktuar që qytetarët gjatë procesit të votimit të shënjohen me ngjyrë matrikuluese (të dukshme), me marker, “në gishtin e madh të dorës së majtë”.

Në shkresën që ia ka dërguar KQZ-së, AIP ka përmendur raste kur kjo çështje është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese të vendeve tjera, sipas të cilave shënimi i votuesve me ngjyrë të dukshme, cenon të drejtat kushtetuese të lidhura me fshehtësinë e votës dhe lirinë e zgjedhjes.

“Referuar analizave dhe hulumtimeve për çështjen e njëjtë, në rajonin e Ballkanit përdorimi i ngjyrës së dukshme për shënimin e votuesve është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ka konstatuar se shënimi i votuesve me ngjyrë të dukshme, i përcaktuar në Kodin Zgjedhor, cenon të drejtat kushtetuese të lidhura me fshehtësinë e votës dhe lirinë e zgjedhjes. Gjyqtarët argumentuan se kjo praktikë përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtën e individit për privatësi dhe liri të votimit, duke krijuar presion social dhe politik mbi votuesit”, thuhet në këshillën e AIP.

Më tej, sipas Agjencisë, shënimi i votuesve nuk është praktikë në vendet e Bashkimit Evropian, por mund të haset në shtete tjera, si Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj.

“Në vendet e Bashkimit Evropian praktika e evidentimit të votuesve, qoftë me ngjyrë të padukshme ose të dukshme, nuk aplikohet. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i kësaj praktike në vende të tjera të botës është bërë kryesisht për shkak të problemeve me listat zgjedhore, ku ekziston frika e votimit të shumëfishtë për shkak të mungesës së regjistrave të sakta dhe të përditësuara të votuesve, apo ku dokumentet e identifikimit të qytetarëve nuk janë të standardizuara apo të institucionalizuara, që në Republikën e Kosovës nuk është e nevojshme pasi që ka forma të tjera të cilat verifikojnë mundësinë e votimit të dyfishtë. Praktika e shënjimit me ngjyrë matrikuluese (të dukshme) është aplikuar apo edhe vazhdon të aplikohet në vendet si: Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj., përderisa e njëjta praktikë është kritikuar për shkak të mundësisë së shkeljes së privatësisë dhe ekspozimit të votuesve ndaj presionit social ose politik”, thuhet në shkresën e AIP.

Të ngjashme