Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takim me anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilin u diskutua kryesisht për sfidat e Agjencionit të Akreditimit.
Nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Vjollca Krasniqi, tha se objektivi kryesor i tyre është avancimi i politikave që do ta parandalonin çdo keqpërdorim dhe do ta garantonin cilësinë në arsim, raporton Ekonomia Online.
“Prioritet i yni është të punojmë sipas standardeve dhe të akreditohen vetëm institucionet që e meritojnë. Ne jemi duke punuar që çdo informacion të dalë në faqen zyrtare sepse jemi të përkushtuar për transparencë”.
Xhavit Rexhaj, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha se ndër objektivat kryesore është rianëtarësimi i Kosovës në EQAR, ndërkaq numëroi disa nga sfidat që e përcjellin Agjencionin e Akreditimit, raporton EO.
“Agjencioni i akreditimit të Kosovës është përballur me disa sfida, është mungesa e personelit në agjenci, mungesa e një drejtori me orar të plotë, numri i madh i kërkesave nga palët, mungesa e komisionit për ankesa. Mendojmë që është shumë i rëndësishëm hartimi i ligjit për Agjencinë e Akreditimit, emërimi i një drejtori qe është kompetent, dhe plotësimi i një stafi të agjencisë”.
Deputetja Arbërie Nagavci tha se shkarkimi i këshillit të kaluar ka ndodhur për shkaqe politike.
“Shkarkimi i këshillit të kaluar ka qenë krejtësisht politike e që fatkeqësisht ka pasur pasoja të mëdha deri tek përjashtimi nga EQAR-i. Vetë kryeministri është dashur t’i arsyetojë shkeljet e këshillit”.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se mungesa e komisionit për ankesa është shqetësuese.
“Në agjencion mungon transparenca e plotë dhe kjo gjë duhet të përmirësohet, sepse nuk guxon që puna e tyre të jetë e mjegulluar”, tha ai.