SKV: Me këtë avaz, pas EQAR do përjashtohemi edhe nga ENQA

Prishtinë | 07 Pri 2018 | 14:30 | Nga

Shkarkimi i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, me vendimin e Kryeministrit, Haradinaj, të zbatuar nga Ministri i Arsimit, Bytyqi, solli deri të përjashtimi i saj nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR).

Ndërsa mos arsyetimi i këtij vendimi dhe zvarritja e përzgjedhjes së anëtarëve profesional, e të rinj të bordit, do të degradojë edhe më shumë gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë, duke rezultuar me përjashtim në të ardhmen e afërt edhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Organizata joqeveritare “STUDIM,KRITIKË,VEPRIM”, përjashtimin nga EQAR, e mundësinë e madhe për përjashtim nga ENQA, e sheh si regres por jo kthim në pikën fillestare.

Qeveritarët tanë nuk do ta kenë problem të thonë se pas përjashtimit, kthehemi në pikën kur ishim të paregjistruar. Të mos jesh anëtar, e të kandidosh për anëtarësim pasi përjashtohesh është krejt tjetër gjë. Situata nuk kthehet në pikën zero, por bëhet minus një. Përmes përjashtimit të parë, kemi një dokument zyrtar i cili thekson se cilësia e arsimit në Kosovë, është e ulët dhe e dyshimtë.

Ndërsa përjashtimi nga ENQA, që pritet të ndodh, vetëm se do ta vë vulën mbi këtë konstatim. Në vend se qeveria ta trajtonte me prioritet këtë çështje të ngutshme, po ndodh e kundërta, pra zvarritja e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, të kualifikuar e profesional në Bordin e AKA-së.

Cilësia e arsimit në Kosovë jo që nuk ka qenë asnjëherë prioritet, por gjithmonë është parë si sektor që do të gjenerojë vota, e vende pune për klanin në pushtet. Ata nuk janë të interesuar për ngritje të cilësisë dhe integrim të arsimit, ata janë të interesuar për rehatim të njerëzve të tyre. Nuk ishte as bordi kaluar jashtë kësaj mendësie, edhe vetë Blerim Rexha që inicoi procedurën, është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Por tashmë kjo mendësi do të na kushtojë shumë, vetë neve studentëve. Me këto vendime edhe kur ta sigurojmë lirinë e lëvizjes, do ta sigurojmë atë vetëm nën statutin e punëtorit të krahut.

Diplomat në Kosovë nuk është se na kanë siguruar vende pune, por e ardhmja që na pret me këto diploma nuk do të na sigurojnë as statusin e studentit në Evropë. Në vend se të punohet për eliminimin e pasojave, përzgjedhja e bordit të ri duket që ka qenë vazhdim i avazit të vjetër. Kjo tendencë e vazhdueshme nuk përbën gabim, as nxitim por zgjedhje.

Pra me këto ndërhyrje, Kryeministri e Ministri i Arsimit kanë zgjedhur vetë të përjashtojnë AKA-në nga ENQA. Prandaj ata do ta mbartin përgjegjësinë, ndërsa SKV së bashku me studentët do t’i mbajë ata përgjegjës!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme