Ushtaraku nga Kosova përfundon me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

OR-5 Valdrin Rrecaj nga Mbrojtja e Afërt e Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të FSK-së, kursi i cili zgjati nëntë javë, ishte një trajnim intensiv dhe me kërkesa të larta fizike e profesionale, ku nga 30 pjesëmarrës që nisën trajnimin, vetëm 14 arritën ta përfundonin me sukses, transmeton IndeksOnline.

“Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit u angazhuan në skenarë të ndryshëm operacional, përfshirë edhe ushtrime të evakuimit me helikopter. Pjesëtari i FSK-së e përfundoi kursin me rezultate të larta dhe me vlerësim të shkëlqyeshëm nga instruktorët, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe gatishmërie”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ky trajnim, i realizuar në bashkëpunim me Ushtrinë Britanike dhe Policinë Ushtarake Mbretërore, dëshmon partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë Ushtarake të FSK-së dhe institucioneve ushtarake britanike.

“Përvoja dhe njohuritë e fituara do të kontribuojnë në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së, në përputhje me standardet dhe praktikat më të avancuara të partnerëve tanë”.

Të ngjashme