Anthony Martial nuk do të largohet nga Manchester United, lajmi është konfirmuar nga agjenti i lojtarit.
Talenti i Manchester Unitedit, Anthony Martial, ka kaluar një sezon të vështirë nën urdhëratë e Jose Mourinhos, duke mos qenë zgjedhja e parë, i cili e përfundoi sezonin me tetë gola në 42 paraqitje në gjitha garat, larg shifrës nga sezoni debutues, ku kishte shënuar 17 gola.
Por, pavarësisht gjithave, francezi është i vendosur të qëndrojë në “Old Trafford” dhe ta bindë Jose Mourinhon se meriton një vend në formacionin e parë, lajmi është konfirmuar nga agjenti i lojtarit, Philippe Lamboley.
“Martial ka edhe dy vite kontratë dhe nuk ka asnjë arsye që të largohet nga Manchester United”, tha fillimisht agjenti i lojtarit.
“Nëse presidenti, Ed Woodward, më thotë se duan që ai të largohet, atëherë kuptohet se duhet të largohet. Por kjo nuk është ajo se çfarë më tha ai në takimin e fundit”, u shpreh më tej agjenti i Martial.
Mourinho disa herë ka lëshuar mesazhe në drejtim të talentit francez gjatë sezonit, duke thënë se ai do t’i japë atij në fushë atë se çfarë portugezi kërkon.
“A mendoj se Anthony është lojtar me potencial të shkëlqyer? Po. A mendoj se ai do të jetë i suksesshëm dhe të na ndihmoj? Po. Por ai duhet të më jap atë që unë kërkoj”, kishte thënë Mou në prill.