Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e shpalli fajtore Mirvete Baraliun për veprat penale të sulmit dhe kanosjes ndaj gazetareve të lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha.
Baraliu është dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale të sulmit, ndërsa për kanosje me 2 mijë euro gjobë.
Rasti kishte ndodhur në prill të vitit 2024, kur dy gazetaret e Lajmi.net u sulmuan gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale. Pas incidentit, ato kishin kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa gazetarja Lindita Berisha në atë kohë ishte shtatzënë.
Përmes një reagimi publik, AGK e ka cilësuar vendimin si një hap pozitiv në përpjekjet e vazhdueshme për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias në Kosovë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret këtë vendim të shkallës së parë dhe e sheh si fitore në avokimin e vazhdueshëm që sulmet ndaj gazetarëve të dënohen”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me prioritet edhe rastet e tjera të sulmeve ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë që ato të marrin epilog meritor ligjor.
Po ashtu, AGK ka kërkuar politika më të ashpra ndëshkimore ndaj personave që sulmojnë gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre, duke theksuar se siguria e mediave është thelbësore për informimin e publikut dhe funksionimin e demokracisë.