AGK dënon ashpër sulmet e Abdixhikut ndaj mediave: Shumë e rrezikshme, cenohet siguria e gazetarëve

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmet ndaj mediave nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

AGK ka thënë edhe se, pretendimet e Abdixhikut janë sulm frontal kundër media, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.

‘’ Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve’’, thuhet mes tjerash në reagim.

Tutje nga AGK shtohet edhe se ‘’është posaçërisht për keqardhje’’ që deklaratat e Abdixhikut bëhen në kohën sa ai është në opozitë dhe me ‘’përkrahje prej 13%’’.

Postimi:

AGK-ja e dënon gjuhën e papranueshme dhe të rrezikshme të Lumir Abdixhikut kundër mediave dhe gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.

Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.

Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve.

Është poçacërisht për keqardhje që këto deklarata të zotit Abdixhiku vijnë në kohën që ai është në opozitë, dhe me përkrahje prej 13 %.

AGK-ja e fton zoti Abdixhiku të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse. AGK-ja gjithashtu e fton zotin Abdixhiku që bashkë me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në Kuvend, LDK të kontribuojë për një ambient të lirë medial.

Të ngjashme