Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile kanë reaguar me shqetësim të thellë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës të mbajtur sot.
Mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të të ftuar ishin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
“Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit”, thuhet në raagim.
“Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së”.
Sipas organizatave, dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. “Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend”.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, theksohet në reagim.
“Duke i ofruar mbështetje të plotë anëtarëve aktualë të KPM-së në ruajtjen e integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni, po ashtu ftojmë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit për Media që projektligjin problematik për KPM-në, i cili parasheh kontroll shtetëror për media, ta trajtojnë duke adresuar kërkesat e shoqërisë civile dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë”.
Reagimi është nënshkruar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, aktivistja Flutura Kusari, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Çohu, INPO, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Instituti i Prishtinës për Studime Politike– PIPS dhe Instituti “Musine Kokalari”.