Po sikur të vdes dhe kafsha të jetojë/ kush ka me e ngi kafshën e gjorë?/ po sikur të vdesë kafsha, qysh atëherë/ kam me e ngi lukuninë me fantazma?/ kur mendon kaq gjatë, pështillen të tana/dhe gjallë s’e merr vesh: kush të mban njeri -/ kafsha a fantazma?”
Agron Tufa për poezitë, Edvin Cami për përkthimin e Luan Rama për letërsinë për fëmijë: janë këta emrat e vlerësuar dje me çmime nga Panairi i 19-të i Librit. Juria e përbërë nga Lili Sula, Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Tonin Çobani- Doktor Shkencash, Agim Baci- kritik letrar, Jorgji Qirjako- përkthyes dhe Alida Cenaj- gazetare, kanë ndarë 3 çmimet fituese të këtij edicioni.
E mbledhur në fund të muajit gusht, juria ka marrë parasysh titujt e dalë deri në datën 5 nëntor, duke zgjedhur një “listë të shkurtër”, nga 107 tituj.
MOTIVACIONET
Autori i vitit u shpall Agron Tufa për librin me poezi “Kafsha apo fantazma”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, me motivacionin “Për një perceptim origjinal, intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut”.
Ai u shpreh para të pranishmëve se “duke mos pasur fare kohë, është shkruar ashtu si unë e quaj penallti në ecje. Për fat të mirë, takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonë vonohen në takimet fikse. Kështu që, dalëngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar”.
Meqë juria kish përmendur më herët edhe kandidatë të tjerë për këtë çmim(Lleshanaku, Zogaj apo Ernestina Halili), Tufa u shpreh se: “Në listë për këtë çmim ishin edhe Luljeta Lleshanaku a Preç Zogaj; do të përkulesha me respekt dhe do e pranoja Lleshanakun si fituese, ose do ta kisha zgjedhur atë po të isha në juri”. Si mesazh për leximin, Tufa vërejti se “është mirë kur juria përqendrohet te ky lloj zhanri- te poezia.
Është zanafilla e lutjeve të njerëzimit. Pasi në këtë botë ku shumëçka është në krizë, asgjë nuk është më në krizë sa është poezia. Kjo më shton besimin, në ditët e mia më të vështira, që të kem besim te ajo që shkruaj”. Përkthyesi i vitit u shpall Edvin Cami, për përkthimin e librit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, një libër nga autorja kroato-gjermane Marica Bodrozic, botim i shtëpisë botuese “Dituria”.
Motivacioni për këtë çmim ishte: “Për shqipërimin e një letërsie sa ballkanike aq edhe të përbotshme, që sjell njeriun përballë vetes dhe të tjerëve në kërkim të identitetit të një bote plot dyshime.” Cami, u shpreh se ka punuar aq gjatë me këtë përkthim sa “e ndjej sikur e kam shkruar vetë.
Pasi e kam brendësuar aq shumë, mbase kam arritur që lexuesi ta përjetojë si lexuesi i gjuhës origjinale. Ne përkthyesit vuajmë kur shohim gabime që nuk mund t’i ndryshojmë, ndërsa në rastin tim nuk ndodh, se redaktorja Jeta Hamzallari, u jep jetë përkthimeve”. Ndërsa në letërsinë për fëmijë u nderua me çmim Luan Rama, për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”, botim nga shtëpia botuese “Albas”, shoqëruar me motivacionin “Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël.” /Gazeta Shqiptare/