Ahmeti: Arsimi të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 12:12 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vizituar sot shkollën fillore “Naim Frashëri”.

Ai tha se shfrytëzon këtë ditë që përveç urimit për mësimdhënësit të përçojë edhe një mesazh që arsimi të jetë prioritet i Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Institucioni i mësuesit si duket nuk e ka respektin që e meriton ta ketë, duke marrë parasysh që janë pikërisht ata që na kanë bartur rezistencën në kohët më të vështira. Sot duhet ta kthejmë edhe këtë respekt për ata duke përmirësuar gjithmonë kushtet, por edhe duke respektuar edhe vet punën të cilën e bëjnë si punën më të rëndësishme që mund ta kemi, por edhe në të njëjtën kohë të kërkojmë edhe më shumë llogari nga mësimdhënësit për shkak se po e them në supet e tyre rrinë një gjeneratë e tërë të cilët në të ardhmen do ta udhëheqin këtë vend”, ka thënë Ahmeti.

Drejtoresha e shkollës, Remzie Berisha, tha se ky vit është vit jubilar meqë sivjet festohet 130-vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe.

“Meqë në detyrë jam e re shpresoj se vizioni dhe misioni ynë do të jetë që të bëjmë ndryshime brenda shkollës, të realizojmë ëndrrat e fëmijëve, të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë mes komunitetit të prindërve, mësimdhënësve në interesat e fëmijëve. Besoj që do të kemi një ngritje të cilësisë përmes një bashkëpunimi të mirëfilltë”, tha ajo.

Drejtoresha e komunale e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga hapja e shkollës shqipe në Korçë, misioni dhe detyra e mësimdhënësve vazhdon të mbetet si atëherë.

“Përveç për arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja është për më tepër edhe një detyrë patriotike dhe kombëtare, sepse shoqëria jonë meriton shumë më shumë dhe mësimdhënësit edhe kësaj radhe e kanë barrën më të madhe që të punojnë për një shoqëri më të zhvilluar”, deklaroi ajo.

Dita e mësuesit festohet çdo vit me shtatë mars në të gjitha vendet kudo ku ka shqiptar.

Sivjet është 130-vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe “Mësonjëtorja e Korçës”. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muzeu kombëtar i arsimit. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës.

Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Të ngjashme