Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në përvjetorin e 28-të të Epopesë së Dukagjinit, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në fshatin Prilep të Deçanit.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se ky vend mbart kujtesë, sakrificë dhe dinjitet kombëtar.
Ai shtoi se pikërisht në Prilep prehet edhe Shpend Mazrekaj, dëshmor i luftës në Maqedoni.
“Sot, së bashku me bashkëpunëtorë dhe bashkëveprimtarë, bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve në fshatin Prilep të Deçanit, një vend që mbart kujtesë, sakrificë dhe dinjitet kombëtar.Pikërisht këtu prehet edhe Shpend Mazrekaj, ushtarak shqiptar nga Prilepi i Deçanit, dëshmor i luftës në Maqedoni. Ai mbetet dëshmori i parë i rënë nga viset shqiptare jashtë Maqedonisë, duke simbolizuar unitetin e idealit tonë kombëtar për liri dhe barazi. Nderimi për dëshmorët nuk është vetëm kujtesë për të kaluarën, por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Sakrifica e tyre na obligon të vazhdojmë rrugën me përkushtim, duke ruajtur vlerat për të cilat ata dhanë gjithçka”, ka shkruar Ahmeti.