Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Imri Ahmeti, ka sqaruar se kjo parti të hënën nuk ka mbajtur takim të Kryesisë, por vetë një takim për kafe me kryetarin e zgjedhur të partisë, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Ahmeti në një deklarim për medie ka thënë se Kryesia e re ende s’është konstituar dhe i mbetet kryetarit të ri të ndërtojë agjendën.
“Është takim i rastit pas homazheve që patëm te presidenti Rugova dhe u kthyem me pi një kafe me kryetarin; një ndejë rasti, asgjë më tepër. Për Kryesinë e re nuk u bisedua asgjë dhe do të vazhdojnë konsultimet e kryetarit me kryetarët e degëve dhe me njerëzit që ai mendon”.
Ai ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm do të vendosë se kur do të ketë mbledhje të kryesisë.
“Kryesia e re nuk është konstituuar ende dhe pritet që kryetari ta ndërtojë agjendën e vet për ta thirrur Këshillin e Përgjithshëm e Këshilli është organ që merr vendim për Kryesinë”.