Grupi Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës ka zhvilluar të hënën takimin e radhës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në këtë takim, i cili u hap nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, janë adresuar përfundimet e dhëna nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës, në raportin e tyre mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Zv.ministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se në këtë raport theksohet se Kosova përveç që plotëson standardet e Këshillit të Evropës, ajo në shumë çështje tejkalon edhe standardet ndërkombëtare.
“Jemi afër përmbylljes së 2/3 të rrugëtimit tonë drejtë anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës. Raporti përfundimtar i juristeve eminent, i cili tashmë është publikuar dhe i cili ka për qëllim që të trajtoj nëse sistemi ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoj një gjë të tillë. Duke theksuar që përveç së Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës ajo në shumë çështje tejkalon edhe standarde ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tret përgjatë këtij procesi të anëtarësimit, fitore e cila tregon që nuk ka as një arsye për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës apo për ta vonuar këtë anëtarësim”, tha ai.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe tha se Kosova qëndron shumë më mirë se plot vende anëtare të kësaj organizate.
“Si vend mendojë qe kemi dëshmuar mirë, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që i kemi në fuqi, qëndrojmë shumë më mirë se edhe plotë vende anëtare në Këshillin e Evropës. Edhe gjatë diskutimit që bëhen brenda Asamblesë Parlamentare, shihet se ne qëndrojmë shumë më mirë si vend. Pas aplikimit, natyrisht se kemi qenë të angazhuar në vazhdimësi për të parë se si është disponimi, kështu që nuk ka asnjë dilemë të vetme për rëndësinë, por edhe që e shohin që doemos që Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha ajo.
Këshilltarja e jashtme e MPJD-së Adelina Hasani, e cila prezantoj raportin e Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës, tha se në këtë raport thuhet se mos njohja e Kosovës nga disa shtete nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill.
“Raporti nuk parasheh as një pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Raporti konfirmon që Kosova ka kontroll efektive në gjithë territorin dhe popullatën e saj. Raporti konfirmon se Kosova po vlerësohet si shtet kandidat për anëtarësim dhe jo si vend”, tha ajo.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, ndërkaq këtë vit Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur që kërkesën për aplikim të Kosovës në t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejme. Së fundmi juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë publikuar raportin për Kosovën sa i përket përputhshmërisë së legjislacionit kosovar me standardet e KiE-së.