Në përmbyllje të vitit 2024, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mbajtur takim publik me qytetarë lipjanas, ku ka diskutuar për të gjitha projektet, të arriturat dhe sfidat të cilat e kanë përcjellë komunën e Lipjanit përgjatë këtij viti, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti është shprehur i kënaqur me investimet që janë bërë përgjatë këtij viti, si nënkalimi dhe parkingu nëntokësor me një investim prej 6 milionë euro, përkrahja në bujqësi, sport e kulturë. Investime, siç tha ai që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Lipjanit.
Kryetari Ahmeti është shprehur i bindur që në vitin e ardhshëm do të ketë më shumë projekte të realizuara, ndonëse nuk la anash as sfidat me të cilat edhe i përmendi.
Ndër to ishin mospërkrahja nga niveli qendror dhe kontrata kolektive.
“Sfidat kanë qenë jo të lehta dhe kanë qenë kryesisht mos mbështetja financiare për përpjekjet tona si dhe pengesat në OSHP ku i kemi disa lëndë. Njëra prej tyre është Shtëpia e Kulturës, një prej projekteve që presim të fillojë dhe vazhdon të zhagitet në shkallën e dytë në Organin e Shqyrtimit të Prokurimit (OSHP). Gjithashtu është Ura e shtratit të Lumit Sitnica, mirëmbajtjen e ndriçimit publik dhe nuk e dim me qëllim apo pa qëllim por që neve po na dëmton. Janë edhe disa lagje për ndriçim publik”, u shpreh Ahmeti.
Ai po ashtu ka theksuar se komunat nuk janë nënshkruese të kontratës kolektive, por pasojat po i bartin, sipas tij vet komunat.
“Një ndër problemeve që jemi ndesh gjatë vitit që po e lemë pas dhe po besoj do të na përcjellë edhe vitin e ardhshëm është përmbarimet gjyqësore për kontratat kolektive të punëtorëve të arsimit, një prej problemeve më të mëdha të të gjitha komunave dhe këtë rast edhe komunës sonë, është ekzekutimi përmes përmbaruesve privat te buxheti i komunave dhe këtë rast te komuna jonë. Kjo natyrisht që na ka penguar për të bërë projekte shtesë, sepse siç e dini komunat nuk janë nënshkruese e kontratës kolektive por pasojat po i bartim si komuna, sepse Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë si obligim por u ka kthyer komunave”, deklaroi kreu i Lipjanit.