Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka informuar këshilltarët komunalë për gjendjen shëndetësore gjatë pandemisë COVID-19, me ç’rast ka thënë se gjendja është e mirë dhe e menaxhueshme.
Ahmeti ka thënë se rreziku kryesor për rritjen e numrit të infektuarve vjen nga gastronomia sepse, sipas tij, bizneset e këtij sektori nuk po e respektojnë distancën.
Tutje, Ahmeti ka shtuar se gjatë diskutimeve me IKSHPK-në u është tërhequr vërejtja se në rast të një shpërthimi tjetër, viktimat mund të arrijnë deri në 1 mijë e 600 viktima, raporton KOHA.
”Kemi pasur dje një takim me Naser Ramadanin dhe Armend Zemajn dhe duhet të mendojmë se a do ta kemi në kontroll situatën. Edhe në Maqedoni edhe në Kosovë po i shohim pasojat e festës së Bajramit. I kemi 38 raste aktive sot në komunë, shumica asimptomatikë. Ka raste që 33 ditë janë me virus, sipas IKSHPK-së, virusi zgjatë prej 3 deri në 38 ditë”, tha Ahmeti.
Ahmeti theksoi se rreziku më i madh për momentin vjen nga gastronomia.
“E kam pyetur Naser Ramadanin a do të ketë testime serologjike për antitrupa. Kjo na ndihmon me ditë se kush e ka pasur virusin. E kemi pasur një situatë para disa ditëve që një person ka infektuar në postë 5 persona, i ka dërguar dy fëmijët në çerdhe. Në momentin që të kontakton IKSHPK nuk ishte dashur me i dërguar fëmijët sepse je i dyshuar. Ne vendosëm me i mbyllë çerdhet. Prej një personi i kemi pasur 10 raste. Mendimi është që nuk bën të kthehemi në masat që i kemi pasur sepse është e vështirë qe t’i kthehemi kufizimit të lëvizjes. Profesor Ramadani thotë që situata aktualisht është e menaxhueshme por na ka tërhequr vërejtjet se nëse do të ketë shpërthim të rasteve do të kemi prej 800 deri 1600 fatalitete. Të hënën j kemi 200 persona që i kemi dërguar për testime. Rreziku më i madh na vje nga gastronomia sepse nuk po respektohet distanca. Jemi duke menduar se si mund t’iu ndihmojmë me maska apo dorëza”, tha kryetari Ahmeti.