Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ahmeti tha se janë bërë shpifje në emër të tij, për çështjen e tenderit të qumështit për shujtat e nxënësve në shkollat e kryeqytetit.
“Sot ushtrova padi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për shpifjet e vazhdueshme që kanë bërë në këtë rast që ka të bëjë me qumështin në shkollat e Prishtinës. Këtë padi e kam ushtruar sepse ata e kanë shpallë vetën edhe gjykatës edhe pse kanë qenë pjesë e furnizimit me qumësht sepse të gjitha këto furnizime kanë ndodhur gjatë kohës sa kam qenë unë në Lëvizjes Vetëvendosje. Si duket për ta më nuk është e rëndësishme as e vërteta me potencuar, as paraja publike, as të gjitha ata që po i potencojnë. Por me rëndësi janë sulmet e vazhdueshme që bëjnë kundër neve duke shpifur dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për neve për ato që i kemi bërë. Do të ishte mirë që kjo padi të shkonte për atë, që e gjuan gurin dhe e fsheh dorën”, tha Ahmeti.
Kreu i Prishtinës, tha se në kryeqytet është çmimi më ulët i qumështit, duke e krahasuar atë me Komunën e Prizrenit, ku qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, aty paguhet 0.20 € më shumë litra e qumështit.
“Të gjitha procedurat kanë qenë të hapura, asnjë procedurë nuk ka qenë e mbyllur. Nuk e di se me çfarë logjike dikush mundet me buxhet me përcaktua se kush do ofertojë dhe sa do të ofertojë. Është çmimi më i ulët i qumështit që paguhet në Republikën e Kosovës, krahasoni me litrën në Prizrenin, aty ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosje. Aty paguhet 20 cent më shumë për qumështin, sesa që e paguan Komuna e Prishtinës. Ne e kuptojmë efikasiteti i dobët i gjykatave i motivon shpifësit që të rrejnë edhe më shumë”, shtoi Ahmeti.
Ai pati kritika edhe për kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Sipas Ahmetit, Kurti duhet të përballet me të në debat televiziv.
“Kur pajtohesh me Albinin, quhet socialdemokraci ndërsa kur nuk pajtohesh me të i njëjti projekt quhet korrupsion. Albini unë e kam ftu në debat. Në çdo televizion ama të vjen kryetar mos të fshihet prapa Valdrinave e këtyre. Ama të del në debat të ballafaqohemi për qeverisje, qumësht, Devollët e krejt. Të del në debat dhe të flasim të gjitha gjanat. Në çfarëdo televizioni, në çfarëdo moderatori, të tregohen krejt çka kemi”, tha Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës, ka bërë të ditur se aktualisht nuk është anuluar tenderi për qumështin. Sipas tij, kur është filluar proceduara e re, ka qenë vetëm një ofertues me çmimin 0.25 € dhe nuk ka qenë qumështi “Vita”.
Ai pohon se do të bisedohet që qumështi për Komunën e Prishtinës të shitet 0.20 € dhe të jetë çmimi më i lirë në Kosovë.