Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se mospërzgjedhja e projektit të MCC’së për gazin ka të bëjë me cenim të sigurisë nacionale.
Ahmeti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se dështimi i shtrirjes së infrastrukturës do ta bëjë Kosovën më të varur ndaj Serbisë për kah aspekti i energjisë elektrike.
“Dështimi i termocentralit të ri dhe refuzimi i shtrirjës së gypave për gas në gjithë Kosovën, na bën të varur në përqindje të rrezikshme nga energjia elektrike nga Serbia ose përmes Serbisë që e bën Serbinë me fuqi të panevojshme në Kosovë”, ka thënë i pari i Prishtinës.
Kryetari i kryeqytetit ka thënë se edhe po të dojë Kosova t’i rikthehej një projekti për gazin do të kishte shumë më shumë kosto.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar informacione shtesë nga MCC-ja për projektin gazsjellësit. Ministrja ka thënë se një gjë të tillë e kanë bërë për të qenë në gjendje të marrin një vendim të mirinformuar për një projekt të tillë.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës, siç ka treguar ministrja Rizvanolli, ka vendosur që të ecë përpara në projektet e propozuara nga MCC-ja, por që kanë më shumë siguri e që kontribuojnë në tranzicionin energjetik të Kosovës.
Postimi i plotë:
Debati i gasit është i shtruar gabimisht.
Nuk është çështja a je pro apo kundër Amerikës por çka bën ky vendim për Kosovën. Siguria energjetike është çështje e sigurisë nacionale.
Dështimi i termocentralit të ri dhe refuzimi i shtrirjës së gypave për gas në gjithë Kosovën, na bën të varur në përqindje të rrezikshme nga energjia elektrike nga Serbia ose përmes Serbisë që e bën Serbinë me fuqi të panevojshme në Kosovë.
Pra kostoja është e nënvlerësuar sepse nuk përfshin rëndësinë e sigurisë.
P.S. Projekti i gasit nuk ishte për blerjen e gasit por parashihte shtrirjen e infrastrukturës për gas në krejt Kosovën që të na jep mundësine të vendosim se a bljemë gas apo energji nga burimet tjera. Projekti përfshinte një grant 200 milion nga ShBA e 97 milion kredi nga BERZH.
Kjo mundësi është humbur. Tash në qoftë se duam të bëmë të njejtem gjë do të jetë shume e shtrenjtë dhe goxha e vështirë me u lidh me TAP. Gasi kushton më lirë se qymyri, ka rezerva të mjaftueshme si dhe ka mesatarisht 50 përqind më pak emitime të gaseve se qymyri.