Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka treguar se të martën, më datë 15 janar, platforma e Dialogut do të jetë e gatshme për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Ahmeti, i cili është bashkëkryesues i Dialogut me Serbinë, këtë e ka bërë të ditur për Koha.net, duke thënë se është e drejtë e secilit deputet të votojë si të dojë, kur është pyetur se a beson që Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosja do të votojnë.
“Po, platforma do të jetë gati në datën përkatëse. Mandati jonë është të negociojmë, të raportojmë dhe të arrijmë marrëveshjen. Para se të dimë se cila është ajo marrëveshje, unë nuk mund të flas as për votat e PSD-së. E drejtë e secilit deputet është të votojë si të dojë”, ka thënë Ahmeti për Koha.net.
Ahmeti, gjithashtu ka folur edhe për mosinkuadrimin e LDK-së e VV-së në dialog.
“Në qoftë se janë forca politike të Republikës, e janë për dialog, e ku Kuvendi voton për dialog dhe për ekip, atëherë nuk e kuptoj pse nuk janë pjesë e dialogut”, shtoi Ahmeti.
Përpjekjet e Delegacionit Shtetëror për t’i koordinuar veprimet me presidentin rreth dialogut deri më tani kanë rezultuar shterpë. Nuk është përmbushur as zotimi për shkëmbim të informatave dhe dokumentacionit rreth dialogut me Serbinë.
15 janari është afati i finalizimit të Platformës Shtetërore, e cila më pas do t’i dorëzohet Kuvendit.
Në takimin e Ekipit Shtetëror që u mbajt gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, si bashkëkryesues të Dialogut me Serbinë, konfirmuan se deri më 15 janar do të procedohet draft-ligji për dialogun në Qeveri.
“U dakorduam që një herë unë një herë Limaj t’i kryesojmë takimet. U dakorduam që deri më 15 janar të procedojmë draft-ligjin në Qeverinë e Kosovës. Pesë anëtarë do të punojnë në platformë. Kjo platformë, ashtu siç e dini, i përcakton parimet, përfshirë këtu njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, ishte shprehur Ahmeti.