Kandidati i Vetëvendosjes pë ta drejtuar kryeqytetin edhe për 4 vjet, Shpend Ahmeti, mbajti sonte një tubim në lagjen Sofalia, ku u prezantuan kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje, si dhe u fol për programin e VV-së.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se 100 Zotimet e tij për mandatin e dytë janë zotime që kanë buruar nga takimet e përditshme me qytetarë. “Mbajtëm mbi 140 tubime publike me qytetarë gjatë mandatit të parë, ku i mësuam kërkesat dhe nevojat e secilës lagje. Në Sofali, përveç të tjerave, kërkesa juaj ka qenë çerdhja, që tashmë është e hapur. Ndërtuam raport të llogaridhënies nga Komuna tek qytetarët, llogaridhënie kjo që është avancuar në besim të qytetarëve në Komunën e Prishtinës. Kjo është mënyra se si qeverisë VETËVENDOSJE!. Tashmë këtë e ka kuptuar secili, edhe në Prishtinë edhe jashtë Prishtinës.”, u shpreh Ahmeti.
Kurse, Kryetari i Qendrës së VV-sënë Prishtinë, Ylli Hoxha, foli për përvojën e tij në mandatin e parë në Kuvend Komunal, dhe problemet me të cilat është ballafaquar Komuna në raport me atë Kuvend.
“Për shembull, një nga rastet ishte edhe parcela që duhet t’ia ndanim një fabrike që hapte 100 vende të reja të punës, ku humbëm me vota 26 me 25. Në fund morëm vesh që ajo parcelë ishte uzurpuar nga familjarët e një asambleisti të PDK-së. Pra, sot nuk e kemi fabrikën aty, për shkak se LDK dhe PDK votuan në interes të asambleistit të PDK-së, e jo në interes të Komunës. Prandaj na duhet shumica në Kuvend Komunal, shumicë kjo e përbërë nga asambleistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha ndër të tjera Hoxha.