Ahmeti vazhdon vizitën në Çeki, diskuton për sigurinë në Ballkan pas agresionit rus në Ukrainë

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, gjatë qëndrimin në Çeki, ka takuar zëvendësministrin për Çështje Evropiane të Çekisë, Tomas Dub, dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, Pavel Fischer, ku ka diskutuar rreth sigurisë dhe mbrojtjes pas agresionit rus në Ukrainë, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Ahmeti po ashtu ka diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian.

“Në takim me Zëvendësministrin Dub, u diskutua për çështjet shumëpalëshe dhe proceset integruese të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”.

“Përveç kësaj u diskutua edhe për çështjet e sigurisë dhe agresionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimin e saj në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërsa në takim me Kryetarin Fischer, u diskutua për zhvillimet aktuale në rajonin tonë dhe progresin e Kosovës në vitet e fundit. Po ashtu, u diskutua edhe për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Zëvendësministri Ahmeti falënderoi të dy nikoqirët për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës.

Të ngjashme