Përveç letrës që Federata Ndërkombëtare e Boksit, AIBA i dërgoi Federatës së Boksit të Serbisë, ata tani kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me moslejimin e ekipit të Kosovës të kalojë kufirin.
Ekipi i Kosovës ishte nisur për në Beograd për të marrë pjesë në Botërorin e Boksit për amatorë, por që nuk ishin lejuar ta kalonin kufirin, pasi mbanin me vete simbole të shtetit të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, AIBA fillimisht i kishte dërguar letër Federatës së Boksit të Serbisë, ndërsa tani ka dalë edhe me një komunikatë për media.
Njoftimi i plotë nga ta:
Federata e Boksit të Kosovës është anëtare e plotë e AIBA-s që nga nëntori i vitit 2014 dhe pritet të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj të AIBA-s. AIBA pret që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacioni i çdo anëtari tjetër të AIBA-s.
AIBA synon të sigurojë një shtëpi mikpritëse për çdo boksier dhe bota e boksit nuk ka kufij. Ne besojmë se të gjithë atletët duhet të kenë një shans të drejtë për të garuar dhe për të demonstruar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti synon të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politika kombëtare.
AIBA është në kontakt me organizatorin e ngjarjes për Kampionatin Botëror AIBA, Federatën Serbe të Boksit, në përpjekje për të korrigjuar situatën.