Ajaxi e Bayern Muencheni mund të kenë siguruar kalimin në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, mirëpo përballja ndërmjet këtyre dy skuadrave të mërkurën mbrëma në Amsterdam do të përcaktojë fituesin e Grupit E.
“Ne duam të testojmë veten kundër Bayernit. Ndonëse Ajaxi dhe Bayerni kanë vendin e sigurt në fazën e ardhshme, sigurisht se kjo ndeshje ka shumë peshë. Fitimi i grupit nënkupton se do të kesh në 1/8 e finales një skuadër që përfundon e dyta në një grup tjetër. Mund të evitosh skuadrat më të forta që kanë dalë të parat në grupe. Ne duhet të jemi në formën më të mirë për të mposhtur Bayernin. Mënyra e vetme për të bërë këtë është të luajmë lojën tonë. Sigurisht se do të kemi përballë një super-skuadër, që duhet respektuar. Por duhet edhe të jemi të guximshëm”, ka thënë trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, në konferencën për media të martën.
Ndeshja e parë ndërmjet dy skuadrave në Mynih kishte përfunduar me barazim 1:1. Një xhiro pa përfunduar faza grupore, Bayerni kryeson me 13 pikë, dy më tepër se Ajaxi që zë vendin e dytë. Me një fitore Ajaxi do të siguronte pozitën e parë në grup, përndryshe pozita e parë në grup do t’i takonte Bayernit.
Bayerni ka filluar të marrë veten, ndërsa ka fituar tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Skuadra bavareze nuk ka pasur start të zakonshëm të stinorit. Në Bundesligën gjermane zë vendin e tretë pas 14 xhirove, me nëntë pikë disavantazh nga lideri Dortmundi. Në fundjavë Bayerni fitoi 3:0 ndaj Nurnbergut, në të cilën ndeshje dy gola i shënoi Robert Lewandowski.