Vëlla e motër dëgjojë muzikë së bashku. Muzika e kohëve moderne është pikë e përbashkët e dy të rinjve që në esencë dallojnë goxha shumë. I pari është i nënshtruar ndaj mendimeve patriarkale, teksa e dyta guxon të mendojë ndryshe.
Në skenën e dytë djali i portretizuar nga Florist Bajgora, në korridoret e një spitali i thotë së ëmës (Aurita Agushi) të mos bjerë pre e provokimeve të policisë për ta pohuar se plagët i ka marrë nga burri i saj dhunues, shkruan sot “Koha Ditore”. Vajza e portretizuar nga Diella Valla është ajo që në skenën e fundit të filmit 12 minutësh e shpëton të ëmën, duke u larguar bashkë me të, larg dy burrave të familjes, të cilët arsyetojnë dhunën.
Një temë e ndjeshme që shpalos në ekran dhunën në familje dhe guximin e një vajze për ta shpëtuar veten e nënën e saj – rrëfim të cilin e ka parë bota nëpërmjet festivaleve – shpaloset në filmin “Ajo” të More Raçës. Të martën mbrëma audienca e kryeqytetit e pati rastin ta shihte për herë të parë filmin e shkurtër që është prodhim i shtëpisë filmike “Arena” dhe i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Javën që shkoi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro filmit “Ajo” iu nda Çmimi special të jurisë. Për filmin ky qe veç një sukses i radhës. Në shtator të këtij viti, pas shfaqjes në disa festivale të rëndësishme ishte pjesë e “Manhattan Short”, një festival ku filmat kualifikohen për garën prestigjioze “Oscar”.