Sindikalistët për rrahjen e gardianit nga i burgosuri: Asnjë reagim nga institucionet, kërkojmë siguri në punë

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë ka sulmuar fizikisht një oficer korrektues të martën rreth orës 15:00. Si pasojë e sulmit, gardianit i janë shkaktuar lëndime në fytyrë, për çka edhe ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Burgut të Sigurisë së Lartë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe veprime përmes së cilave do të ofrohet siguria për kryerjen e detyrës nga zyrtarët korrektues, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate, SBSL ka thënë se dënon ashpër sulmet dhe kërcënimet e nga të burgosurit ndaj zyrtarëve korrektuese, dhe sipas tyre rasti i sulmit ndaj oficerit korrektues të martën, është vetëm një nga rastet e shumta të ndodhura kohët e fundit, për të cilat nuk pati asnjë reagim nga Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, KMDLJN, QKMRT apo institucione tjera.

“Sindikata e Burgut të Sigurisë së Lartë dënon ashpër sulmet dhe kërcënimet e pandërprera nga të burgosurit ndaj Zyrtarëve Korrektues. Rasti i datës 05.04.2022 ku Zyrtari Korrektues është sulmuar rëndë nga i dënuari i cili vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë është vetëm një nga rastet e shumta të ndodhura kohëve të fundit, edhe pse asnjë reagim nuk ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, KMDLNJ, QKMRT apo institucionet tjera të cilat do të reagonin ashpër pa u menduar fare nëse do të raportohej ndonjë pakënaqësi e ndonjë të burgosuri. Kërkojmë reagim dhe veprime me të cilat do të rishiqohen kushtet dhe të ofrohet siguria e mjaftueshme për kryerjen e detyrës nga ana e Zyrtarëve Korrektues të cilët përballen me njerëzit të cilët kanë kryer vepra penale nga më të rëndat”, thuhet në reagim.

Po ashtu, sindikalistët e Burgut të Sigurisë së Lartë kërkojnë sigurim shëndetësor dhe jetësor si dhe hapa konkret nga institucionet kundrejt çdo sulmi apo kërcënimi ndaj zyrtarëve korrektues.

“Gjithashtu sigurimi shëndetësor dhe jetësor janë elementare dhe të domosdoshme për punën me rrezikun më të lartë që ndonjë institucion kryen siç është puna e Zyrtarit Korrektues. Kolegut i urojmë shërim të shpejtë, kurse ftojmë institucionet të ndërmarrin hapa konkret me të cilët veprohet kundrejt çdo sulmi apo kërcënimi ndaj Zyrtarëve Korrektues”, thuhet tutje në reagim.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, i burgosuri që rrahu gardianin në Burgun e Sigurisë së Lartë është Col Imeraj, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e dhëndrit në vitin 2020 në Gjakovë.

Ai dyshohet se të martën, rreth orës 15:00, ka sulmuar fizikisht gardianin e burgut, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe në kokë, për çka viktima ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, si dhe nga Policia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme