Në Prishtinë sërish ka përkeqësim të cilësisë ajrit duke u tejkaluar vlerat kufitare ditore me PM10 që paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Siç njofton Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), bazuar në matjet e realizuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit është vërejtur së gjatë ditëve të fundit janë paraqitur tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.
“Vlera kufitare ditore e lejuar për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50ug/m3, ndërsa gjate këtyre ditëve vlera maksimale e mesatares ditore është shënuar me datën 29.01.2017 e cila ka arritur në vlerën 254.9µg/m3 , ndërsa me datën 27.01.2017 është regjistruar vlera 68.89µg/m3 , derisa me datën 28.01.2017 217.09µg/m3”, thuhet në njoftimin e MMPH-së .
“Ndërsa përqendrime më të larta janë paraqitur edhe me ndotësin PM2.5, i cili ka arritur vlerën maksimale e mesatares ditore po të njëjtën ditë dhe në të njëjtin lokacion, nga ku arrin vlerën në 256.0µg/m3”.
Sipas IHK-së, ky përkeqësim i gjendjes ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të pa favorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikurse janë: mjegulla e dendur, shpejtësia e erës 0.0m/s, lagështia e lartë e ajrit 98%, shtypja atmosferike 952.6mb, temperatura -11.6oC.
Kjo gjendje ka ndikuar që mos të ketë shpërndarje të koncentrimit të ndotësve që emitohen në ajër.