Pulmologu: Ajri i ndotur po e rëndon edhe më shumë situatën pandemike në Kosovë

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Pandemia Covid-19, ua ka vështirësuar gjendjen shëndetësore personave me probleme në mushkëri.

Pulmologu Flamur Marku, ka thënë për Gazetën Express, se numri i personave me probleme në mushkri të cilët po infektohen me virusin COVID-19, është duke u rritur në vend.

Ai ka treguar se këtyre personave po ua vështirëson edhe më shumë gjendjen shëndetësore ajri i ndotur.

“Ka një rritje shumë të madhe të personave të cilët kanë probleme kronike të mushkërive me fillimin ndotjes së ajrit. Ka edhe shumë pacient me probleme në mushkri të cilët janë të infektuar me virusin COVID-19. Komplikimet në mushkri, ata tani i kanë shumë më të mëdha se që i kanë pasur”, ka thënë ai.

Marku është shprehur se infektimi me Coronavirus dhe ndotja e ajrit, janë shumë të rrezikshme për personat me sëmundje kronike.

Kësisoj, ai ka treguar se ata duhet edhe të marrin terapitë adekuate.

“Ajri i ndotur po ndikon në përkeqësimin e sëmundjes kronike dhe në rastin kur disa persona janë të prekur me pneumoni e cila shkaktohet si pasojë e infeksionit me Covid-19, oksigjeni në gjak dhe kapaciteti i mushkërive për ta ngopur organizmin në gjak po reduktohet, për këtë arye kemi rëndim të situatës dhe rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë terapi për përmirësimin e gjendjes”, ka theksuar ai.

Përndryshe, ai ka thënë se më të rrezikuar nga ndotja e ajrit e nga pandemia, janë moshat e vjetra.

Por që sipas tij, së fundmi ka pasur rritje të numrit të personave të ri në moshë të cilët kanë pasur komplikime shëndetësore.

“Personat që janë më të rrezikuar janë ata në moshë më të shtyrë, pra moshat mbi 60 vjeç. Nuk përjashtohen as komplikimet në moshat më të reja, po shohim rritje të rasteve edhe në moshat nën 50 vjeç”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që më 13 nëntor, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte bërë thirrje te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të cilësisë së lartë të ajrit të ndotur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme