Lëvizja FOL ka njoftuar se tërhiqet nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), me arsyetimin se procesi nuk po zhvillohet me integritet, transparencë dhe trajtim të barabartë të kandidatëve.
Sipas njoftimit të kësaj organizate, shqetësimet janë shtuar pas takimit të komisionit përzgjedhës më 19 nëntor 2026, ku është bërë e ditur se njëra nga kandidatet është përjashtuar nga gara për shkak të një mase disiplinore, pas një opinioni të zyrës ligjore.
FOL bën të ditur se është informuar se edhe kandidatët e tjerë janë subjekt i ankesave dhe potencialisht i procedurave disiplinore. Në mesin e tyre përmendet edhe Blerim Haxhiaj, i cili konsiderohet ndër kandidatët favoritë për këtë pozitë.
Për këtë arsye, më 19 nëntor, Lëvizja FOL i është drejtuar zyrtarisht RTK-së me kërkesë për qasje në informacione publike, duke kërkuar sqarime nëse ndaj Haxhiajt ka ankesa apo procedura disiplinore, nëse ekzistojnë padi të ngritura nga ai ose ndaj tij lidhur me punën në RTK, si dhe cili është statusi i këtyre rasteve.
Megjithatë, sipas FOL-it, deri më 23 nëntor, një ditë para intervistave të planifikuara, RTK-ja nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën.
Lëvizja FOL e ka cilësuar këtë heshtje si shqetësuese, duke vlerësuar se mungesa e transparencës ka thelluar dyshimet për mënyrën se si po zhvillohet procesi i përzgjedhjes.
Organizata thekson se informacionet lidhur me ankesat, procedurat disiplinore dhe paditë ndaj kandidatëve janë thelbësore për të dëshmuar se komisioni po zbaton kritere të njëjta për të gjithë dhe se nuk ka trajtim selektiv të rasteve para intervistave.
Pozita e Kryeredaktorit të RTK-së, sipas FOL-it, është ndër pozitat më të rëndësishme në institucion, pasi ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si informohet publiku.
Lëvizja FOL vlerëson se për këtë pozitë, veçanërisht në një kohë kur RTK-ja ndodhet nën presion të lartë politik, nevojiten profesionistë të guximshëm, të pavarur dhe të përkushtuar ndaj interesit publik.
Intervistat e kandidatëve për pozitën e Kryeredaktorit të RTK-së janë paralajmëruar të mbahen më 24 nëntor 2026.