AKA kërkohet të jetë i pavarur, rikandidon në ENKA dhe EQAR

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 13:26 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takim me anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Avni Gashi, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, ka quajtur të suksesshëm punën e agjensionit prej mandatit të tij si ushtrues detyre.

Ai ka thënë se një prej sukseseve të AKA-së, është riaplikimi në ENKA dhe EQAR, sipas tij, është vlerësuar puna e AKA-së, raporton Ekonomia Online.

“Një prej sukseseve më të mëdha është riaplikimi në këto agjencione apo organizata, si ENKA dhe EQAR. Është vlerësuar pozitivisht puna jonë në këto organizata. Vizita nga EQAR, është paraparë të jetë në mars. Nga ENKA është në shtator, besoj se do të pranohemi në këtë organizatë”, tha Gashi.

Tutje Gashi në Komisioni për Arsim shtoi se një prej rekomandimeve është që Agjencioni të jetë i pavarur dhe të jetë më një ligj të veçantë që e rregullon këtë.

“Një prej rekomandimeve ka qenë se agjencioni duhet të jetë i pavarur. Kanë pa që funksionimi i agjencionit të jetë një ligj i veçantë që e rregullon këtë që agjencioni të jetë i pavarur. Ne jemi në fazën finale, të draftimit të këtij ligji në qeveri. Afati i fundit është se nga ky koncept duhet të dalë një ligj i veçantë për agjencionin, deri në mars duhet të jetë një ligj si mangësi janë burimet njerëzore, ka shumë pak staf, shqetësuese është monitorimi pas akreditimit. Kemi planifikuar që në 2019 edhe ministër na ka mbështet me katër anëtar të stafit”, shtoi Gashi.

Punën e agjecionit për periudhën e korrikut deri më tani, e ka prezantuar edhe anëtari i Këshillit për Cilësi në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, Gazmend Luboteni.

Ky i fundit tha se është themeluar i komisionit për ankesa, pasi sipas tij, kjo ka qenë një nevojë urgjente e agjencionit.

“Kryesisht kemi pas aktivitete në ndryshimin e rregullativës ligjore sepse një nga çështjet urgjente ka qenë themelimi komisionit të ankesave. Meqë ka pas problemeve në udhëzimin administrativ kemi kërkuar që në mënyrë urgjente të formohet komisioni i ankesave. Është lajm i mirë që më në fund ky komision është formuar. I kemi tre anëtarë të përhershëm dhe dy rezervë. Çështjet që merren në vendimmarrjen tojë, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë ti drejtohen komisionit të ankesave. Pastaj ankesën mund ta shqyrtojnë dhe ta dërgojnë në rishqyrtim. Ky është misioni kryesor i komisionit”, tha Luboteni, raporton EO.

Sipas Lubotenit, hapi tjetër është rregullorja sipas së cilës do punojë ky komision, që është në fazën finale.

Ai shton se është bërë edhe raporti i vlerësimit të komisionit për akreditimi, me një grup ekspertësh, të mbështetur nga projekti Heras.

“Gjë e mirë që ka ndodhë është raporti i vetëvlerësimit i komisionit të akreditimit. Është hartuar nga një grip ekspertësh, të mbështetur nga projekti Heras, nga qeveria austriake. Gjatë muajit mars do të shqyrtohet anëtarësimi jonë, ri anëtarësimi jonë në EQAR në ENKA ne nuk jemi përjashtuar, jemi anëtarë të ENKA-s, por është bërë një rivlerësim para kohe”, tha Luboteni.

Në anën tjetër, kryetari i Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrës, Ismajlt Kurteshi tha se komisioni që ai drejton do ta përkrahë kërkesën e tyre që AKA të jetë institucion i pavarur.

Kurteshi parashtroi problemin me gjashtë universitet të paakredituara, të konstatuara më herët edhe nga MASHT, mungesën e monitorimit, librit amzë, etj.

Ndërsa anëtarja e komisionit, Teuta Haxhiu tha se sa i përket themelimit të komisionit për ankesa, ai ka qenë obligim i AKA-së.

Por rianëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë, sipas Haxhiut, nuk është i gjithi rezultat i agjencionit.

“Nëse ne nuk e kemi interesin që ju me qenë të pavarur nuk besoj se do ta ketë dikush tjetër. Themelimin e komisionit për ankesa e keni pas obligim dhe ju jeni vonuar shumë. Institucionet na janë për themelimin e shkallës së ankesave. Ju e keni themeluar këtë komision por themelimi tij nuk ka përfunduar ende, puna e tij nuk ka filluar ende. Rianëtarësimi,  konsideroj se nuk është krejt rezultat i juaj”, tha Haxhiu.

Ajo u interesua të dinte se a kanë arritur si trupë që t’iu ikin punësimeve familjare.

“Ajo që më shqetëson dhe marrim ankesa prej shumë njerëzve, a keni mujtë ju si trupë me iu ikë organizmave institucionalë të arsimit për punësim të familjarëve tuaj… Të gjitha kritikat që mund të vijnë,pagesat që merrni ju është mundësia më e madhe për me iu bë shantazh. Duhet pagesa e anëtarëve të agjencionit me qenë që me pasë pavarësi. Mungesë stafi. A keni mendu me na drejtu neve?”, pyeti deputetja Haxhiu.

Sipas ushtruesit të detyrës të drejtorit të AKA-së, Avni Gashi, asnjë familjarë nuk është punësuar.

“Asnjë familjar i imi nuk është i punësuam. Absolut. Këtë e ka pohuar edhe Luboteni. Asnjë lëvizje nuk ka”, iu përgjigj Gashi-Haxhiut.

Gashi tutje u tha ligjvënësve se për shkak të mungesës së buxhetit po kanë edhe problem të tjera brenda agjensionit, me ç’rast ka thënë se duhet të kenë mbështetje nga buxheti i shtetit.

“Për çështjen e monitorimit jemi në fazën e koncept. Ne kemi planifikuar në koncept dokument të jetë numri më i madh i punëtorëve, sektori për akreditim dhe të gjithë sektorët që duhet ti ketë një agjencion.  Pa mbështetje të buxhetit të Kosovës është e pamundur. Ne kemi menduar me u bazuar në përvoja ndërkombëtare tek monitorimi. Por buxhetin për monitorim do ta ketë agjencioni e jo të bëhet kjo si taksë”, tha Gashi, raporton EO.

Zyrtar për vlerësim dhe monitorim, Fisnik Gashi, ka thënë se sistemin e ri të verifikimit dhe akreditimit, nuk ka shans që një person të regjistrohet me dy vende pune.

“E kemi bë një deklaratë nën betim për verifikim të e gjitha të dhënave. Kemi kontratë me ATK që e shohim statutin e pagave të stafit. Nuk ka shans asnjë staf punëtor apo akademik me i pas dy marrëdhënie pune dhe me u regjistruar për akreditim”, tha Gashi.

Përndryshe, në mungesë të kuorumit, Komisioni ka zhvilluar vetëm takimin me anëtarit e Këshillit të Cilësisë së AKA-së, ndërsa pikat e tjera të ditës janë lënë për ditë tjetër.

 

Të ngjashme