Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është organizuar akademia përkujtimore në 20-vjetorin e vrasjes së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Pjesë e kësaj akademie përkujtimore ishin ministra e deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), familjarë të rënëve për liri, por edhe përfaqësues nga organizata OVL e UÇK-së.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, konsideroi se 31 janari është dita kur tre burra të Kosovës bënë sakrificën më sublime, duke i falur jetën atdheut. Ai ka shfrytëzuar rastin që të kërkojë drejtësi për lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në ndalim në Francë.
“Tre emra të mëdhenj të historisë së re të Kosovës, karakteri heroik personifikohet në personat e tyre. Lufta e tyre ishte e pasur sikur që ishte lufta e Kosovës. Ideali u kurorëzua përfundimisht më 17 shkurt me shpalljen e pavarësisë. Nuk guxojmë që të harrojmë që Kosova nuk e ka përmbyllur ende procesin e shtetndërtimit. Si më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për konsensus nacional për çështjet të cilën përmbyllet shteti ynë”, ka thënë Hyseni.
“Kërkoj drejtësi nga shteti francez lirimin e Haradinajt. Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për demokracinë e shteteve evropiane. Kosova dhe shteti i Kosovës e ka synim Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, ka thënë Hyseni.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rustem Mustafa – Remi, tha se Kosova dhe shqiptarët janë të lirë falë sakrificave dhe luftës së madhe të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
“Propaganda kundër shqiptarëve nga armiku ishte e madhe. Por përkundër kësaj Kosova dhe shqiptarët janë të lirë dhe kanë aleat shtetet më të fuqishme. Forca e shpirtit liridashës është më e madhe se çdo armik dhe ushtri tjetër. Duke i ikur debatit falë luftës së UCK-së si bartëse e luftës, ne sot kemi NATO-n, Amerikën dhe Shtetet e Unionit Evropian”, ka thënë komandant Remi.
Por duke kujtuar vëllanë e saj gjithmonë së bashku me shokët të cilët u vranë sot e 20 vjet më parë, Lumnie Rama, e motra e Edmond Hoxhës, ka thënë se Kosovën të cilën po e jetojmë nuk është ideali për të cilin kanë vdekur dëshmorët e kombit.
“Zahiri, Edomndi dhe Hakifi kanë dëshmuar vullnetin e vet, mirëpo realiteti i jetës që kemi ne nuk është ideali i tyre. Ata nuk e donin Kosovën e ndarë, nuk donin një muri i cili ndanë Kosovën dhe nuk donin assesi burgosjen e çlirimtarëve dhe rininë, e cila me mundësinë e parë që sheh do të largohet nga Kosova. Ne i përkujtojmë dhe përkulemi para gjithë dëshmorëve të rënë duke marrë forcë për një Kosovë për liri”, ka thënë mes emocionesh Lumnie Rama.