Prokuroria Themelore e Ferizajt nuk ka intervistuar akoma asnjë person për shpërthimin që la dhjetëra të lënduar në restorantin “Steak House”. Kryeprokurori Shukri Jashari, tha se intervistimi nuk është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore të personave të përfshirë në ngjarje, teksa shtoi se hetimet janë duke vazhduar.
Shpërthimi i papritur i bombolës së gazit që përmbante 25 litra, e vendosur në kuzhinën e restorantit “Steak House” në Ferizaj, ka lënë 44 persona të lënduar si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Zjarri i shkaktuar i detyroi njerëzit që për një moment të dilnin nga aty, duke lënë mbi tavolinë telefonat, xhaketat e gjësendet e tjera.
Disa ditë pas ngjarjes që tronditi vendin, dhe lidhur me këtë ka folur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se do të bëhet një ekspertizë për t’u vërtetuar shkaktari i vërtetë i shpërthimit së bombolës së gazit.
“Hetimet janë duke u kryer, akoma nuk është intervistu askush për shkak të gjendjes shëndetësore të personave që kanë qenë të përfshirë. Do të bëhet ekspertiza nga ana e ekspertëve të kësaj lemie, për me u vërtetu shkaktari i vërtetë i shpërthimit së bombolës së gazit”, tha Jashari për Express
Pronari i restorantit “Steak House”, Genc Sopa, është personi që ka pësuar shkallën më të lartë të lëndimit, nga shpërthimi i bombolës së gazit, e lëndime të rënda ka marrë edhe një 20-vjeçare. Ata bashkë me dy të lënduar tjerë janë dërguar për shërim në Turqi. Ndërsa, pas tyre janë dërguar edhe dy të tjerë për shërim në Austri.
Lëndime ka pësuar edhe një grua shtatzënë bashkë me vajzën e saj të vogël, ndërsa lagjja në të cilën ndodhi shpërthimi ka marrë pamje tjetër.