Festivali i këngës “Akordet e Kosovës” ka nisur mbrëmë në Prishtinë, duke shënuar edicionin e katërt të tij. Përgjatë tri netëve, deri më 1 nëntor, festivali do të sjellë në skenë këngën për të rritur dhe, për herë të parë, edhe një edicion të veçantë kushtuar këngës për fëmijë.
Këtë risi e ka bërë të ditur drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit të Kosovës, Zana Spahiu, në një intervistë lidhur me përgatitjet dhe programin e festivalit. Ajo ka shpjeguar se dy netët e para do t’i kushtohen Festivalit të Këngës për të Rritur, ndërsa nata e tretë do të jetë e rezervuar për Festivalin e Këngës për Fëmijë
“Dy netët e para e kemi edicionin e Festivalit të Këngës për të Rritur, ndërsa në natën e tretë, për herë të parë, edicionin e Këngës për Fëmijë”, ka thënë Spahiu.
Për rëndësinë e këtij edicioni dhe përfshirjen e artistëve të rinj ka folur edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për festivalin. Ajo ka vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë muzikore dhe krijimit të hapësirave ku talentet e reja mund të prezantojnë punën e tyre.

“Ne kemi shumë fëmijë të talentuar dhe është kënaqësi e madhe që sot u jepet mundësia të performojnë në një skenë të madhe”, është shprehur Bogujevci.
Në natën e tretë të festivalit do të performojnë 15 artistë të rinj, duke e bërë këtë edicion edhe një hapësirë për prezantimin e zërave të rinj në muzikën shqiptare.
Për festivalin dhe përgatitjet e këtij edicioni kanë folur gjithashtu edhe nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Xheraldina Cërnobregu, si dhe përfaqësues të tjerë të organizimit.
“Akordet e Kosovës” do të zhvillohen nga 30 tetori deri më 1 nëntor, ndërsa të gjitha netët e festivalit do të transmetohen drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).