Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi miratoi listën e aseteve që do të dalin në shitje përmes Shitjes së Aseteve 33, miratoi shpërndarjen e parakohshme për katër Ndërmarrje Shoqërore (NSH) në shumën prej afër 400,000 € për kreditorët e këtyre NSH-ve, si dhe raportin e Komisionit të Banesave në pronësi të NSH-ve sipas Ligjit në fuqi për shitjen e banesave.
Në këtë mbledhje u aprovuan edhe disa qiradhënie, si dhe akte nënligjore të rëndësishme për lehtësimin e punëve në procesin e privatizimit.
Sa i përket Trepçës, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit të Trepçës, i cili pritet të finalizohet brenda pak ditëve dhe do të sqarojë një sërë çështjesh si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën.
Bordi diskutoi dhe i vlerësoi aktivitetet e Menaxhmentit të Agjencisë dhe takimet e zhvilluara me Qeverinë e Kosovës dhe ministritë përkatëse lidhur me draftimin e Ligjit të AKP-së, si dhe çështje tjera me rëndësi për procesin e privatizimit. Sa u përket pronave shoqërore të cilat shfrytëzohen apo mbahen nga shfrytëzues të paligjshëm Agjencia shprehu përkushtimin për vazhdimin e identifikimit të këtyre aseteve dhe marrjen e veprimeve të menjëhershme për lirimin e tyre dhe trajtimin sipas ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.