Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shprehur indinjatën lidhur me sulmin fizik ndaj Fatmir Ibrahimit, blerësit të asetit të Ndërmarrjes Shoqërore “Urata” në Lipjan.
Nëpërmes një komunikate shtypi, AKP thotë se në kuadër të aktiviteteve për lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore nga uzurpues apo shfrytëzues të tyre pa kontrata të qirasë, ka liruar të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore nga uzurpuesit.
AKP-ja rikujton se me asistencë te Policisë se Kosovës kishte bërë lirimin e pronës nga shfrytëzuesi Hysni Bytyqi, i cili ka qenë në shfrytëzim afatshkurtër me kontratë qiraje deri në momentin e privatizimit. Por, ai ka refuzuar ta lirojë lokalin pasi që ai nuk kishte arritur ta blejë atë përmes procedurës së shitjes. Rrjedhimisht, AKP më 20 mars 2018 përmes asistencës së Policisë se Kosovës ka larguar uzurpatorin nga lokali.
“Kontrata blerësit z. Fatmir Ibrahimi i është dorëzuar një muaj pas lirimit me datë 23.04.2018”, saktëson AKP.
Sidoqoftë, AKP shpreh indinjatë të thellë lidhur me rastin në fjalë dhe përkujton se sulmi fizik dhe cenimi i pronës paraqet vepër penale të sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit inkurajon dhe përkrahë përpjekjet e z. Ibrahimi në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtës së tij pronësore. “Andaj edhe ftojmë organet kompetente që të marrin masat e duhura ligjore në mbrojtje të të drejtave të garantuara pronësore”.
Ekonomia Online dje ka raportuar se Fatmir Ibrahimi nga komuna e Lipjanit, me banim në Angli, ka protestuar para Kuvendit të Kosovës lidhur me padrejtësitë që po i bëhen atij dhe investuesve të tjerë në Kosovë. “Investimet në Kosovë nuk kanë siguri. Investimet në Kosovë sjellin bela”, shkruante në një pankartë që ai mbante në duar.
Ibrahimi ka treguar për Ekonomia Online lidhur me problemet që ka pas blerjes së lokalit në Lipjan. Ai thotë se një uzurpator nuk e lë qe sa vjet të punojë në lokalin e blerë në njërën nga valët e privatizimit. Madje, vëllai i tij është rrahur për të dytën herë nga ai që ua ka uzurpuar lokalin.
“Nëse institucionet përgjegjëse nuk bëjnë atë që duhet do ta marrë drejtësinë vetë në dorë”, ka paralajmëruar ky bashkatdhetar.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/bashkatdhetari-nga-anglia-proteston-para-kuvendit-kerkon-ti-mbrohet-investimi/