AKP-ja miratoi raportin e studimit të fizibilitetin për Trepçën

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 11:23 | Nga

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi i Drejtorëve shqyrtoi Raportin e dorëzuar nga kompania kontraktuese ndërkombëtare e angazhuar për realizimin e Studim të Fizibilitetit të Trepçës me Orientim Strategjik.

Bordi, pasi që u njoftua se raporti i studimit të fizibilitetit është dorëzuar në afatin e përcaktuar, dhe i cili sipas vlerësimit të komitetit drejtues të projektit i përmbush kriteret dhe specifikat e përcaktuara në termat e referencës, miratoi këtë raport.

AKP është në proces të angazhimit të ekspertëve profesional për vlerësim të pavarur të këtij studimi, analizë kjo e cila së bashku me Studimin e Fizibilitetit do të ofrojë një bazë të qëndrueshme për vendimet e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aksionarëve tjerë konform Ligjit për Trepçën.

Në fund krejt, ky studim do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e ardhshëm të kësaj ndërmarrje, e cila tashmë me Ligjin për Trepçën ka kaluar në menaxhim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Bordi i drejtorëve gjithashtu në këtë mbledhje shqyrtoi dhe miratoi transaksionet e shitjes së aseteve ne likuidim të SHAL 31 dhe çështje tjera administrative dhe organizative të Agjencisë.

Të ngjashme