Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) gjatë hapjes së ofertave të shitjeve nr. 32 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 74 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej u pranuan 65 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 3 334 668 euro.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e tyre dhe publikimi i rezultateve, sipas AKP-së, u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të medieve, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkaq është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë.