Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka realizuar shpërndarjen e një shume prej 2.8 milionë euro nga pjesa e 20 %-it të privatizimit të 28 ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre.
Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20-përqindëshit, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20-përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre ndërmarrje shoqërore.
Shuma e fondeve që ka kaluar nëpër procedura të shpërndarjes kësaj radhe është € 2 milionë e 861 mijë e 284 euro. Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 3960 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20-përqindëshit.
Bartja e këtyre fondeve është bërë në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime).
Nga fondet e 20% deri me tani Agjencia ka shpërndarë rreth 113 milionë euro dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 46 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.
Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen në një të ardhme të afërt.