Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) thotë se ka identifikuar një sipërfaqe të madhe të pronave shoqërore në komunën e Shtërpcës, ngastra këto të cilat deri më tani nuk figuronin në regjistrin e Agjencisë.
Në një komunikatë të AKP-së thuhet se si rezultat i ngritjes së nivelit të bashkëpunimit profesional dhe ndër-institucional, zyrtarët e AKP-së, konkretisht Zyra Rajonale e Prizrenit, në koordinim me Zyrën Kadastrale të Komunës së Shtërpces, kanë arritur që së fundmi të identifikojnë prona shtesë të ndërmarrjes shoqërore NSH “Zadruga”, Shtërpce.
Pronat e identifikuara e të vendosura nën administrim të AKP-së kanë sipërfaqe prej 1,309 hektarë e 42 ari e 84 m2, janë të ndara në 133 ngastra dhe shtrihen në 5 zona Kadastrale.
Aktualisht, përfshirë këtu edhe këto ngastra të posa identifikuara, prona e NSH “Zadruga” arrin në total 896 ngastra me sipërfaqe prej gjithsej 5,847 hektarë 77 ari e 83m2.
Ky është një progres i jashtëzakonshëm i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në identifikimin e aseteve të reja në pronësi shoqërore, objektivë kjo me prioritet të lartë në Agjenci.
Vetëm vitin e shkuar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka identifikuar dhe ka vënë nën administrim 36 asete të reja, që më herët nuk i kishim në regjistër të Agjencisë, thuhet në komunikatën e AKP-së.