Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), edhe zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.48. Lista e tenderëve për privatizim me shitje të aseteve nr. 48 përmban 116 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë. Privatizimi i të gjitha këtyre aseteve do të bëhet përmes metodës së shitjes përmes likuidimit.
Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, ndërsa AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha Komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet në vijim duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 17 korrik 2019, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.