AKR-ja, pro Qeverisë teknike me mandat dyvjeçar

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 08:29 | Nga

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, mohon deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PAN se do t’i votojnë kandidatët e tyre për kryeparlamentar dhe për kryeministër.

Ai thotë se kanë propozuar Qeveri teknike me mandat dyvjeçar dhe më pas të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shkruan sot, gazeta Zeri.

Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk ka arritur kurrfarë marrëveshje me drejtues të koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) për t’i votuar kandidatët e këtyre të fundit për kryetar të Kuvendit dhe për shef të ri të Qeverisë.

Bahtiri, ka shtuar se subjekti i tij ka propozuar formimin e një Qeverie teknike me mandat dyvjeçar dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Numri dy i AKR-së madje u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike parlamentare që të ulen e të bisedojnë në këtë drejtim, në mënyrë që të arrihet marrëveshja dhe më pas të ftohet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.

Se nuk ka marrëveshje politike me AKR-në e ka konfirmuar edhe kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, ndonëse ka paralajmëruar se seanca e re do të mbahet në pjesën e parë të muajit të ardhshëm.

“Nuk jemi larg mbajtjes së seancës. Besoj që javën tjetër do të fillojë me punë. Do t’i japin epilog kësaj çështjeje. Ka ardhur koha t’i japim drejtim temave. Duhet të lëvizim përpara. Është i pakuptimtë kundërshtimi i konstituimit të Kuvendit. Kjo javë na iku, javën tjetër mendoj se do të fillojmë me punë”, tha Haradinaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme