Aleanca Kosova e Re në orët e pasdites ka mbajtur një mbledhje në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale në këtë parti.
Kryetari i Kuvendit të kësaj partie, Fatmir Matoshi ka thënë për Telegrafin se kjo mbledhje tashmë ka përfunduar.
Ai ka treguar se gjatë kësaj mbledhje nuk është diskutuar fare për çështjen e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj i cili u shkarkua nga kjo pozitë e as për emrin e ri që pritet të vije në krye të kësaj ministrie.
“Mbledhja tashmë ka përfunduar, në rend dite nuk e kemi pasur çështjen e ministrit fare. Kemi diskutuar për degët e AKR-së si dhe kemi themeluar disa komisione”, ka thënë Matoshi.
Kujtojmë se javën e kaluar kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar nga detyra e ministrit të MPB-së, Flamur Sefajn i cili vinte nga subjekti politik AKR.
Ndërkaq, sot gjatë ditës në media është thënë se AKR, postin e ministrit të MPB-së ia ka ofruar Florian Qehajës i cili vjen nga shoqëria civile, mirëpo një lajm të tillë zyrtarët në AKR e kanë cilësuar si spekulim mediatik.